Artan Tafani, bashkëpunëtori i drejtësisë, ka rrëfyer në Gjykatën e Posaçme përfshirjen e tij në një ngjarje kriminale ku është përdorur tritoli në një banesë në Lushnjë.
Në dëshminë e tij, Tafani përmend emrin e Laert Haxhiut, i njohur për autoritetet, duke treguar se për herë të parë është takuar me të në malin e Dajtit. Gjatë këtij takimi, Haxhiu i ofroi përfshirje në aktivitete të jashtëligjshme, përfshirë transportin e lëndëve narkotike.
“Tafani rrëfeu se pas takimit në Dajt, ku kaluan natën në një suitë, i është kërkuar të ndihmojë me një mall të jashtëligjshëm. Ai u pagua fillimisht me 500 euro dhe një shumë tjetër me 500 euro më vonë,” thuhet në dëshmi.
Më tej, bashkëpunëtori i drejtësisë tregoi se iu kërkua të vendoste 100 gram tritol në derën e një banese në Lushnjë, si formë presioni ndaj një personi që nuk kishte shlyer një borxh për drogë.
“E ndeza fitilin dhe ika. Vendosa eksplozivin në katin e parë të pallatit. Ky ishte testi për të parë nëse do ta bëja apo jo,” tha Tafani, duke shtuar se pas vendosjes së tritolit u largua duke kaluar në këmbë mbi shinat e trenit.
Artan Tafani: Për Laertin kisha dëgjuar vetëm në televizor, nëpër lajme. U nisëm për në Dajt, u ulëm në një restorant. Laerti më mori jashtë dhe më tha: “Hajde, flasim pak jashtë.” Ato natë ndenjëm atje në Dajt dhe morëm një suitë. Unë u tremba, sepse thashë me vete: “Pse më morën mua këta, kur pashë Laert Haxhiun?” Ai më tha se do të bënim ndonjë punë dhe do më ndihmonte me ndonjë mall. Por puna ishte e jashtëligjshme, transport i paligjshëm. Ai, mesa duket, e dinte që isha në nevojë për para.
Të nesërmen, Laerti dhe Ligori ikën për në Korçë. Unë u takova me Klajdin dhe me Lulzimin, dhe ikëm për në Lushnjë. Gjatë rrugës më dhanë 500 euro, dhe 500 të tjera më dhanë pas 2-3 ditësh.
Në një takim tjetër, më thanë të vendosja një tritol në Lushnjë, sepse i kishin dhënë mall njërit që nuk kishte paguar, dhe donin t’ia bënin si presion. I thashë: “Dakord, çfarë të them?” Që nga dita e parë që i takova, ndjeva një lloj presioni mbi vete, si t’ua shpjegoja…
Rrugës, kur zbritëm, Laerti më dha 100 euro për shpenzimet e naftës. Unë kisha lënë makinën në hyrje të Elbasanit. Nisëm për në Lushnjë, ku do vendosja tritolin dhe kisha bërë planin.
Vendosa 100 gram tritol. Mu duk sikur kjo ishte prova që do shikonin nëse do e bëja apo jo. E ndeza fitilin dhe ika. E vendosa në derën e banesës, që ishte në katin e parë të një pallati. Isha në këmbë dhe kalova nga shinat e trenit. Planin e kisha bërë me Laertin.