Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së i ka dërguar Kongresit një listë me “persona të ekspozuar politikisht” të përmendur në miliona faqe dokumentesh që lidhen me hetimin ndaj financierit të dënuar për abuzim seksual, Jeffrey Epstein.
Letra gjashtëfaqëshe, mban firmën e Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Todd Blanche dhe u drejtohet drejtuesve të Komisioneve Gjyqësore në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat. Dokumenti përfshin emra presidentësh, figurash kulturore, drejtuesish biznesi dhe zyrtarësh qeveritarë që shfaqen në dosje, pa sqaruar natyrën apo shkallën e lidhjes së tyre me Epstein.
Publikimi i listës u bë në zbatim të Aktit të Transparencës së Dosjeve Epstein, i miratuar nga Kongresi, i cili detyron Departamentin e Drejtësisë të bëjë publike informacionet përkatëse. Megjithatë, në letër theksohet se një pjesë e materialeve mbetet e redaktuar për shkak të privilegjeve ligjore, përfshirë komunikimet avokat-klient dhe dokumente që lidhen me procesin e brendshëm të shqyrtimit.
Nga personat e përmendur në listë, vetëm Epstein dhe bashkëpunëtorja e tij, Ghislaine Maxwell, janë akuzuar dhe dënuar në lidhje me krimet. Për shumë prej emrave të tjerë nuk ka prova publike që të kenë pasur ndonjë ndërveprim personal me të.
Publikimi ka shkaktuar reagime të ashpra politike. Përfaqësuesi demokrat Ro Khanna, bashkautor i ligjit për transparencën, akuzoi Departamentin e Drejtësisë se “po turbullon qëllimisht ujërat” duke mos dalluar mes personave të përmendur rastësisht dhe atyre me lidhje të drejtpërdrejta me krimet.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja republikane Nancy Mace kritikoi publikimin, duke pretenduar se “ka emra që mungojnë” në listën e bërë publike.


