EMISIONI VETTING
Prej disa vitesh, konflikti i pronave në bregdet po mban peng zhvillimin e zonës së Borshit, që prej një dekade pas reformës territoriale ka kaluar si pjesë e Bashkisë Himarë.
Në qendër të konfliktit është ish-Shtëpia e Pushimit të Fëmijës Borsh, e cila dikur mbushej nga gjallëria dhe energjia, që sillnin jetimët e Sarandës. Dokumentet zyrtare të siguruara nga “Vetting” dhe dëshmia ekskluzive nga ish-pronarja e kësaj prone me sipërfaqe 5400 metër katrorë, Diana Bilali kanë ekspozuar ndërtime të paligjshme, falsifikim dokumentesh nga komuna Lukovë dhe indiferencë totale nga të gjitha institucionet.
Sipas ish-pronares Bilali, në procesin për privatizimin e këtij territori nuk janë zbatuar procedurat sipas ligjit të asaj kohe.
“Ka ndonjë gjë normale në këtë mes? Me këto objekte është bërë një pazar i pisët dhe prapë nuk janë vendosur në punë e di pse? Sepse ata i dinë që të gjitha këto që ne po flasim bashkë”, tha Diana Bilali për “Vetting”.
Në fakt, një pjesë e godinave janë privatizuar ndërsa njërën prej këtyre sipas ish-pronares është bërë në mënyrë të kundraligjshme, duke ju referuar pronës së Tajar Lalës, babait të Drejtoreshës së Tatimeve Erilinda Lala.
“Ky truall është ndarë në tre pjesë, marrësit e AMTP-ve kanë qenë tre persona. Dy prej tyre kanë pasur dokumente (AMTP), ndërsa Tajar Balil Lala nuk ka AMTP për këtë pronë”, shprehet Bilali duke ekspozuar padrejtësinë që i është bërë nga shteti shqiptar, por edhe nga personi në fjalë.
Toka e familjes Lala pa AMTP dhe hoteli e restoranti pa leje ndërtimi
Një nga pronat që ka ngritur pikëpyetje për procesin e privatizimit sipas denoncimeve të ardhura në redaksinë “Vetting” është hotel-restoranti “Take” i familjes Lala, ku bashkëshorti i Drejtoreshës së Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, Taulant Godroli, ka punuar si menaxher në vitin 2025.
“Tani çfarë ka shfrytëzuar ai atje Tajar Lala? S’po flas për dy të tjerët më para, por po flas për atë (i referohet Tajar Lalas).
Ky truall ka pasur 9 objekte mbi sipërfaqen e tij. Njëri nga objektet ka qenë rreth 300–350 metra katrorë, është diku në pjesën e tretë, s’po them në qoshe por diku aty. Këto 350 metra katrorë unë e kam gjetur për herë të parë në shkresën që ka bërë ish -Zyra e Regjistrimit të Pasurive në Sarandë, në momentin që ju kërkua privatizimi i truallit dhe objekteve mbi truall në vitin 2010. Në vitin 2010, unë kam parë që Tajar Lala kishte rreth 600 metra katrorë”, deklaron Diana Bilali.
Denoncimi i zonjës Bilali si pasardhëse e ish-pronarit të tokave në Borsh, Delvinë dhe Sarandë, Mehdi Hila Borshi ka hedhur dritë mbi një fakt të pazbuluar më parë. Familja e Erilinda Lalës, bazuar në ligjin 7501 rezulton se ka përfituar rreth 2500 metra katrorë tepër në Borsh.


