Gjykata e Fierit ka dënuar me 12 vite burg Ilir Nukajn, i cili dhunoi brutalisht një çift të moshuarish në fshatin Povelçë, në tetor të vitit 2024, duke shkaktuar vdekjen e 80-vjeçarit Namik Rustemi.
Sipas burimeve zyrtare, trupa gjykuese me kryesuese Klodiana Kryeziun dhe anëtarë Noel Veizin e Alfred Konomin vendosi ta shpallë fajtor të pandehurin për “plagosje të rëndë me dashje, me pasojë vdekjen”, bazuar në nenin 88/2 të Kodit Penal. Ndërsa Prokuroria kishte kërkuar 10 vite burgim, gjykata vendosi një dënim më të rëndë – 12 vite.
Vendimi u prit me zemërim dhe tension nga familjarët e viktimës, të cilët kanë shpërthyer në fyerje dhe kërcënime ndaj trupit gjykues brenda sallës. Situata ka agravuar më tej kur mbesa e të ndjerit, e shoqëruar nga policia, ka kundërshtuar daljen nga ambientet e gjykatës dhe ka thyer xhamin e derës kryesore. Prokuroria e Fierit ka nisur një procedim penal edhe ndaj saj.