Një akt vandal është regjistruar në auditorin e Universitetit të Salentos në Itali, ku është dëmtuar një tabelë përkujtimore kushtuar Ilaria Sulës, studentes shqiptare 22-vjeçare e vrarë në Romë nga ish-i dashuri i saj, Mark Samson.
Në tabelën që ndodhet në sallën e leksioneve, në karrigen e rezervuar simbolikisht për Ilarian, ishte shkruar: “Ky vend është i rezervuar për Ilaria Sulën, e vrarë nga femincidi. Sot ajo do të duhej të ishte në leksion.” Por, fjala “femincid” është fshirë me laps të zi, gjë që ka shkaktuar reagime të forta.
Departamenti i Shkencave Humane dhe Shoqërore i universitetit ka denoncuar publikisht këtë veprim, duke e cilësuar si një akt të papranueshëm dhe të dënueshëm. “Kjo fyen kujtimin e Ilaria Sulës dhe të gjitha viktimave të dhunës, dhe bie ndesh me vlerat tona të respektit, përfshirjes dhe përgjegjësisë qytetare,” thuhet në deklaratën e departamentit.
Në reagimin e tij, departamenti ka riafirmuar përkushtimin për luftën kundër dhunës me bazë gjinore, duke theksuar se kjo është një betejë reale dhe e vazhdueshme. “DISUS do të vazhdojë të promovojë ndërgjegjësimin dhe ndërtimin e një komuniteti universitar të lirë nga çdo formë diskriminimi,” thuhet më tej.
Ngjarja ka prekur edhe familjen e vajzës. Babai i saj, Flamur Sula, ka reaguar i tronditur: “Më vjen shumë keq për Ilarian. Me këtë akt fyhet kujtimi i saj dhe i vajzave të tjera të vrara si ajo. Jam pa fjalë. Fatkeqësisht, në botë ekzistojnë edhe njerëz të tillë.”