Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në Theth, ku Bekim Koçeku, një prej banorëve të zonës, ka protestuar kundër aksionit të IKMT-së për shembjen e disa shtëpizave prej druri.
Koçeku është shtrirë në tokë përpara fadromës dhe pranë karriges së tij me rrota, në përpjekje për të ndalur aksionin. I përlotur, ai u ka bërë thirrje autoriteteve, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, që të ndërhyjnë për të ndalur shembjet dhe për të shqyrtuar rastin e tij.
“Jam në borxh 200 milion lekë për ndërtimin e pesë shtëpizave që i kam ngritur me kredi e borxhe. Janë prej druri, jo prej betoni. Kjo është gjithçka që kam,” u shpreh ai për mediat, mes lotësh.
Ai paralajmëroi se është i gatshëm të shkojë “deri në ekstrem” për të mbrojtur pronën e tij, duke shtuar se “Unë i vdekur jam”.
Aksioni i IKMT-së në zonën turistike të Thethit ka ngjallur reagime të shumta, sidomos mes banorëve që pretendojnë se ndërtimet e tyre janë në përputhje me traditën lokale dhe nuk dëmtojnë mjedisin.
Bekim Koçeku: I bëj thirrje shtetit të vijë të vërë dorë, janë duke na prish shtëpiat, duke na nxjerr në rrugë të madhe. Po e shohin vet, janë druri të gjitha. I kam bërë më kredi. Thirrje Edi Ramës, Benet Becit, të shohin çfarë po bëjmë. Deri në ekstrem do arrijmë, unë i vdekur jam, kam 200 milion lekë borxh, kam ndërtuar 5 shtëpia druri. Ku të mbytem unë. Çfarë është ky muhabet.
Ndërkohë, edhe motra e Bekimit është shprehur për mediat se këto 5 shtëpiza të familjes së saj nuk janë ndërtuar me beton, por me dru dhe janë ngritur në tokën e tyre.
“Edhe nëse vdesim këtu, këtë tokë nuk e lëshojmë. Toka është e babës, e gjyshit. Kulla e ngujimit është e Zef Koçekut, baba jem është Kol Koçeku. Ne jemi nga Thethi dem baba dem, a se kemi blerë as e kemi zënë”, tha ajo.
Motra e Bekim Koçekut: Jam motra e Bekimit, kemi ndërtuar 5 shtëpia, ka hyre Bekimi me kredi, ka lënë pensioni me ndihmua vëllain dhe njerëzit e tij. Edhe nëse vdesim këtu, këtë tokë nuk e lëshojmë. Toka është e babës, e gjyshit. Kulla e ngujimit është e Zef Koçekut, baba jem është Kol Koçeku. Ne jemi nga Thethi dem baba dem, a se kemi blerë as e kemi zënë. Na kanë thënë me ndërtua shtëpiat pa betone, as ka beton, asgjë, barake dërrasash. Këto janë pa beton. Shikojë bekimin, pa duar pa këmbë, e kana vrarë boll, po e vret dhe shteti. Në fadromë do rrimë, aty do vdes!