Seanca paraprake gjyqësore për çështjen që lidhet me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj është shoqëruar me debate.
Gjatë seancës, avokatja e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku, ka kërkuar sërish kohë për t’u njohur me aktet e dosjes, duke argumentuar se nuk ka pasur mundësi të plotë për shqyrtimin e materialeve proceduriale.
Nga ana tjetër, avokati i Veliajt, Artan Gjermeni, ka kërkuar që gjykata të marrë një vendim të qartë lidhur me atë se kush duhet të paraqesë konkluzionet përfundimtare, avokatja kryesisht apo avokati i zgjedhur më herët nga vetë Veliaj.
Gjermeni ka theksuar se, ndonëse mandati i tij është revokuar nga klienti, ai mbetet i detyruar procedurialisht të paraqitet në gjykatë deri në momentin që avokatja kryesisht të marrë zyrtarisht funksionet.
Pas debateve mes palëve, prokuroria ka kërkuar që procesi të vijojë me dhënien e konkluzioneve përfundimtare. Në këtë moment, avokati Artan Gjermeni është larguar nga salla e gjyqit.
Pas daljes së Gjermenit nga ambientet e gjykatës, është larguar edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues, si edhe të avokates kryesisht, Valentia Teodoresku.


