Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një konferencë për media ka dhënë detaje të reja rreth personave të infektuar me koronavirus në kryeqytetin e Kosovës. Ahmeti u shpreh në Prishtinë deri më tani janë konfirmuar 106 raste, ku 31 prej tyre janë ende të infektuar me virusin.
“Kemi prit që do të këtë rritje të rasteve pas karantinës, por ideja është që kjo të jetë e kontrolluar dhe të mos kthehemi në masa të kufizimit si më herët. 10 rastet e fundit kanë të bëjnë vetëm nga një person, ka punuar në një organizatë, e fëmijët e tij kanë qenë në dy çerdhe. Nesër do të testohen fëmijët e dy klasëve të çerdheve”, ka thënë ai para mediave, përcjell Telegrafi.
Tutje, ai ka deklaruar se janë duke punuar që të kufizohet përhapja e coronavirusit.
“Mbi 100 persona janë testuar. Po ashtu një çerdhe e kemi mbyllë, për shkak se burri i një edukatore ka dal pozitiv në COVID-19, është testuar edhe edukatorja pra në çerdhen Xixëllonja. Nuk ka vend për panik por duhet të jemi të kujdesshëm. Po mundohemi ta kontrollojmë përhapjen e coronavirusit”, ka pohuar ai.
Ndër të tjera, Ahmeti këshilloi qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat COVID-19.