Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në një deklarate për mediat ka dhënë detaje për 100 mijë testet e shpejta të antigenit që kanë mbërritur në Shqipëri.
Manastirliu u shpreh se kjo metodë do të aplikohet fillimisht në Tiranë e më pas të përhapet në rrethe.
“Për sa i përket përfshirjes së shpejtë të antigenit, kemi siguruar në kontratën e parë 100 mijë teste të shpejta të antigenit që janë tashmë të disponueshme në vendin tonë. Testimi i shpejtë i antigenit do të nisë nga dita e hënë fillimisht në Tiranë.
Në fazën e parë, duke filluar nga dita e hënë fillon testi i shpejtë i antigenit që do jetë i disponueshëm ntë gjithë njësitë vendore të kujdesit shëndetësor. Janë struktura që kryejnë testin e tamponit. Nga 20 dhjetori do të jetë dhe në spitalet rajonale”, deklaroi ministrja.
Manastirliu foli për investimet dhe punën e bërë nga muaji mars në përballje me pandeminë. “Një fond prej 8 mln eurosh është dedikuar për mbështetjen speciale për stafet tona në terren, spitalet dhe operatorët e kujdesit shëndetësor. Kemi dyfishuar kapacitetet me shtretër. Forcuam kapacitetet spitalore me pajisje mjekësore për përballimin e pandemisë jo vetëm në afatshkurtër por dhe përballje në vjeshtë-dimër.
Në fillim të kësaj epidemi numëroheshin rreth 200 respirator, sot kemi 483 respiratorë të dedikuar në funksion të mbështetjes së terapive intensive. Kemi marrë të gjitha masat në kohë për testimin e shpejtë të antigenit. Sot janë funksionalë 4 laboratorë publikë”, deklaroi ministrja.



