Protesta për rritjen e çmimit të naftës dhe produkteve të tjera, ka nisur sot nga Shkodra. Një grup qytetarësh, mes të cilëve edhe aktivistë të shoqërisë civile janë mbledhur në urën e Bahçëllëkut.
Ata kanë bllokuar për disa minuta hyrjen e qytetit. Në pamje duket momenti kur ata kanë vendosur në hyrje të urës disa kuti kartoni ku shkruhet “Protesto”.
Ndërkohë sot në Tiranë është njoftuar një tjetër protestë. Shoqëria civile përmes rrjeteve sociale ka njoftuar qytetarët që të mblidhen para kryeministrisë.
Çmimi i naftës kapi shifrën rekord ditën e djeshme duke arritur në 260 lekë për litër. Kreu i qeverisë Edi Rama tha në konferencë për gazetarët se kjo vjen për shkak të luftës në Ukrainë dhe nuk është në dorën e qeverisë.





