Kompania britanike “Scrap Car Comparison” ka kryer një hulumtim interesant në bashkëpunim me kompaninë konsulente londineze “Censuswide”. Në bazë të analizës me shoferë të Britanisë së Madhe, u konstatua se cilat vetura drejtohen nga shoferët më inteligjentë, shkruan The Sun. Gjithsej 27 marka veturash u përfshin në hulumtim.
Konsiderohet se dy të tretat e popullsisë kanë një nivel inteligjence (IQ) ndërmjet 85 dhe 115 pikë. U zbulua gjithashtu se vetëm 2.5% e njerëzve janë jashtë normës, ose për shkak të një rezultati nën 70 ose, në ekstremin tjetër, për shkak të një rezultati mbi 130.
Hulumtimi i kryer nga “Scrap Car Comparison” tregoi se shoferët me IQ më të lartë, me një rezultat mesatar prej 99, zotërojnë vetura Skoda.
Pas Skodas, pasojnë pronarët e Suzukit (98.09), Peugeotit (97.79), Mini-Cooperit (97.41) dhe Mazdas (95.91).
Në anën tjetër, drejtuesit e Land Roverit (88.58), Fiatit (90.14) dhe BMW-së (91.68) kishin IQ më të ulët.
Megjithatë, analiza zbulon se i gjithë grupi i të anketuarve ishte brenda asaj që konsiderohet si rezultat mesatar, midis 85 dhe 115 në shkallën e IQ.
Studimi po ashtu thekson se shoferët më inteligjentë preferojnë veturat me benzinë, gjë që përfaqëson një paradoks në mes të procesit të elektrifikimit.
Veturat me benzinë drejtohen nga njerëz me IQ të lartë (94.35), të ndjekur nga pronarët e veturave me motorë hibridë (93.89) dhe motorë me naftë (92.91).
Drejtuesit e veturave elektrike janë vetëm në vendin e katërt (90.19).