Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar sot me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
Në Uashington, ku po qëndron aktualisht për vizitë zyrtare, shefi i ekzekutivit shqiptar ka thënë se ka biseduar me kryediplomatin amerikan për “rindërtimin, paketën AntiKÇK, Shengenin Rajonal dhe dialogun Kosovë – Serbi”.
Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, në internet, Rama po ashtu ka thënë se me Pompeon ka folur edhe për “sfidat e përbashkëta të aleancës sonë strategjike, ku Shqipëria mbetet besnikërisht e lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Edhe Pompeo ka njoftuar, nëpërmjet llogarisë së tij, në rrjetin tjetër social, Twitter, për takimin që ka zhvilluar me Ramën.
“I lumtur që prita sot kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në Departamentin e Shtetit, ku zhvilluam një diskutim të frytshëm”, ka shkruar kryediplomati amerikan.
“Mirënjohës për partneritetin e qëndrueshëm të aleatit tonë, Shqipërisë, dhe për rolin e saj të rëndësishëm si udhëheqëse e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Pompeo.
Për dallim nga Rama, ai nuk ka përmendur temat e diskutimit mes tyre.
Nuk dihet se çfarë qëndrimesh ndanë për Kosovën, Rama me Pompeon në Uashington, teksa diskutuan për dialogun mes palës kosovare dhe asaj serbe.