Sot në orën 17:00, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, do të zhvillojë një deklaratë për mediat në lidhje me çështjen e Erion Veliajt.
Gjykata do të sqarojë vendimin për padinë e Veliajt, i cili ka kërkuar anulimin e vendimit të qeverisë që e shkarkoi nga detyra si Kryetar i Bashkisë Tiranë, duke e cilësuar atë të kundërligjshëm dhe në shkelje të Kushtetutës.
Në të njëjtën çështje, Gjykata do të shqyrtojë edhe dekretin e Presidentit që caktoi datën e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës, për të parë nëse ai është në përputhje me Kushtetutën.
Gjykata ka pezulluar përkohësisht efektet e dekretit presidencial, që do të thotë se zgjedhjet e pjesshme në Tiranë nuk mund të mbahen derisa të merret vendimi përfundimtar.
Njoftimi:
Ju njoftoj se sot, ora 17:00, Kryetarja e Gjykatës znj. Holta Zaçaj do të ketë një komunikim me gazetarët në lidhje me vendimmarrjen e çështjes me kërkues Erion Veliaj me objekt “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si i papajtueshëm me paragrafin 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës. Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës i njeh ankimit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë, ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese”.


