Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryesoi delegacionin shqiptar që mori pjesë në Vatikan në ceremoninë e inaugurimit të Papa Leoni XIV, ku ishin të pranishëm personalitete të rëndësishme nga vende të ndryshme të botës.
Kreu i Shtetit zhvilloi edhe një takim me Papa Leoni XIV, të cilit i shprehu urimet më të përzemërta për zgjedhjen si At i Shenjtë dhe Peshkop i Kishës Katolike Romake.
Presidenti Begaj përgëzoi Atin e Shenjtë për misionin e tij në ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e urave të dialogut në një botë të mbushur me sfida dhe pasiguri. Ai theksoi se udhëheqja shpirtërore e Papës përfaqëson një zë shprese, dhembshurie dhe uniteti ndërmjet njerëzve.
“I lumtur që isha pjesë e ceremonisë së inaugurimit të Papa Leoni XIV në Selinë e Shenjtë, Vatikan. Le të frymëzohemi nga misioni i Papa Leoni XIV për paqen dhe ndërtimin e urave të dialogut për të përballuar bashkë sfidat dhe pasiguritë. Besoj se Papa Leoni XIV do të sjellë paqe, harmoni dhe unitet në botë. Shqipëria pret me padurim të vazhdojë marrëdhënien e ngrohtë e të sinqertë me Vatikanin”, shkruan Presidenti.
Shqipëria është një model i bashkëjetesës fetare, ku toleranca, respekti dhe harmonia midis feve të ndryshme janë vlera të rrënjosura thellë dhe trashëgimi e çmuar ndër breza.
Në këtë ceremoni, Presidenti u shoqërua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe Ambasadorja e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj.