Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka akuzuar qeverinë se po përfiton nga rritja e çmimeve gjatë krizës, ndërsa qytetarët po përballen me vështirësi ekonomike gjithnjë e më të mëdha.
Sipas saj, rritja e çmimit të naftës në 218 lekë për litër nuk mund të justifikohet vetëm me situatën ndërkombëtare.
Xhixho kritikoi mungesën e masave konkrete në mbështetje të qytetarëve, duke e cilësuar komunikimin e qeverisë si “propagandë boshe”.
“Një kryeministër që lejon rritjen e çmimit të naftës në 218 lekë për litër dhe më pas del e u thotë shqiptarëve që kjo është pasojë e luftës është një kryeministër që ka hequr dorë nga përgjegjësia. Në vend që të dalë para qytetarëve për të njoftuar masa konkrete në mbështetje të tyre, bën propagandë boshe”, shkruan Xhixho.
Ajo theksoi se efekti zinxhir i rritjes së çmimeve po prek çdo familje, ndërsa çmimet e ushqimeve, sipas saj, janë rritur deri në 50% brenda pak ditësh.
Reagimi:
Qeveria po pasurohet në këtë krizë, ndërkohë qytetarët po varfërohen. Kjo është e vërteta!
Një kryeministër që lejon rritjen e çmimit të naftës në 218 lekë për litër dhe më pas del e u thotë shqiptarëve që kjo është pasojë e luftës është një kryeministër që ka hequr dorë nga përgjegjësia.
Në vend që të dalë para qytetarëve për të njoftuar masa konkrete në mbështetje të tyre, bën propagandë boshe.
Efekti zinxhir po godet çdo familje shqiptare: çmimet e ushqimeve janë rritur deri në 50% brenda pak ditësh dhe mund të rriten edhe më tej.
Justifikimi me “ekonominë e tregut” , por e vërteta është se kjo nuk është më ekonomi tregu. Kjo është një ekonomi e deformuar nga taksat e larta, mungesa e konkurrencës dhe një sistem klientelist që nuk i shërben qytetarëve.
60% e çmimit të naftës janë taksa. Zgjidhja është vetëm ULJA e TAKSAVE që do të ulë çmimin e naftës dhe rrjedhimisht edhe të mallrave dhe shërbimeve.
Boll më me propagandë, por ul taksat dhe merr masa me paketa mbështetëse për qytetarët siç kanë bërë vendet e rajonit.


