Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka njoftuar se ka nisur procedimin penal lidhur me dëmtimet që shkaktuan bllokimin e plotë të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd-Pogradec.
Procedimi penal është regjistruar për disa vepra penale, përfshirë, shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera ose ankande publike, shkatërrim të rrugës, dhe ndotje të ajrit, ujit apo tokës.
Prokuroria ka krijuar një grup të posaçëm hetimor për të zbardhur shkaqet dhe përgjegjësitë lidhur me këtë situatë, ndërsa hetimet vijojnë në përputhje me ligjin.
Burime nga grupi i inspektimit bëjnë me dije se po kontrollohet dokumentacioni mbi lejen për shfrytëzim, koordinatat e miratuara të ndërhyrjes, si dhe nëse janë respektuar sasitë e lejuara të materialeve të nxjerra.


