Analisti Mentor Kikia e ka cilësuar një lajm negativ bllokimin e llogarive bankare të kompanisë Birra Korça, duke theksuar ndikimin që një situatë e tillë ka te biznesi, punonjësit dhe klima e investimeve në vend.
I ftuar në News24, Kikia deklaroi se “Birra Korça” është një nga bizneset më të vjetra dhe më të rregullta në pagesën e taksave në Shqipëri, ndërsa kontribuon ndjeshëm në të ardhurat doganore në juglindje të vendit.
Sipas tij, çdo goditje ndaj një biznesi të këtij niveli prek drejtpërdrejt qindra familje që varen nga vendet e punës që ofron kompania, por edhe të ardhurat që përfiton shteti nga aktiviteti i saj.
“Këto janë biznese ku punojnë qindra njerëz dhe që kanë rol të rëndësishëm në ekonomi. Nëse kemi të bëjmë me një veprim të qëllimshëm, atëherë ky është një sinjal i keq për marrëdhënien mes qeverisë dhe biznesit”, u shpreh Kikia.
Analisti shtoi se situata të tilla dëmtojnë jo vetëm biznesin vendas, por edhe perceptimin e investitorëve të huaj për klimën ekonomike dhe sigurinë e investimeve në Shqipëri.
Mentor Kikia: S’do të doja të ishte një vijim apo veprim i qëllimshëm i autoriteteve ndaj një biznesi pasi padyshim një biznes para se të jetë pronë e një pronari të caktuar është një vend ku punojnë qindra njerëz që mbajnë familjet, është burim taksash për shtetin. Mbi të gjitha, ajo që është e rëndësishme është fryma e marrëdhënies mes biznesit dhe qeverisë dhe që lidhet edhe me atë që quhet më pas klima e besimit të biznesit tek qeveria, pushteti. Dhe kjo nëse do të ishte një gjë e qëllimshme do të ishte një lajm i keq, një lajm i keq edhe për klimën e raportit biznes-qeveri, për biznesin vendas por edhe atë për të huaj që vjen dhe investon këtu.


