Pezullimi pa afat i qarkullimit të automjeteve në segmentin e rrugës kombëtare Librazhd–Korçë, pas zhvendosjes së tokës në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, ka lënë qindra drejtues mjetesh dhe pasagjerë të bllokuar në të dyja anët e aksit.
Mes tyre ka familjarë me fëmijë të vegjël, të moshuar dhe drejtues mjetesh transporti që prej orësh presin një zgjidhje, ndërsa situata paraqitet e pasigurt për shkak të çarjeve të thella në trupin e rrugës.
“Jemi nisur që në mëngjes drejt Korçës dhe kemi mbetur këtu pa asnjë informacion të qartë. Na thanë që rruga është mbyllur pa afat. Nuk dimë nga të kalojmë,” shprehet një drejtues automjeti, i cili tregon se ka mbi tri orë në pritje.
Një tjetër qytetar, që udhëtonte me familjen, tha se situata është e vështirë sidomos për fëmijët: “Fëmijët janë lodhur, nuk kemi as ujë mjaftueshëm. Duhet një zgjidhje alternative sa më shpejt.”
Edhe drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë shprehen të shqetësuar për vonesat dhe pasojat ekonomike. “Çdo orë vonesë për ne është kosto. Transportojmë mallra që duhet të dorëzohen brenda ditës,” u shpreh një prej tyre.
Disa banorë të zonës theksojnë se problematika në “Arrat e Gurrës” ka qenë e pranishme gjatë gjithë këtyre javëve dhe se çarjet në rrugë janë thelluar gradualisht.
“Kjo ishte e paralajmëruar. Toka ka lëvizur edhe herë të tjera, por tani situata duket shumë më e rëndë,” tha një banor i zonës.
Ndërkohë, drejtues mjetesh kërkojnë më shumë informacion zyrtar dhe orientim për rrugë alternative, ndërsa apelojnë për ndërhyrje sa më të shpejtë për stabilizimin e segmentit problematik.
Pezullimi i qarkullimit në këtë aks të rëndësishëm kombëtar ka krijuar jo vetëm radhë të gjata automjetesh, por edhe pasiguri e tension mes udhëtarëve, të cilët presin një zgjidhje konkrete për të vijuar udhëtimin e tyre.


