Qeveria e re “Rama 4” e nisi punën të enjten me vendimin për shkarkimin e kryebashkiakut socialist Erjon Veliaj, pasi ai po pret gjykimin në paraburgim për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Këshilltarët socialistë të Bashkisë Tiranë, me udhëzim të kryeministrit Edi Rama, vendosën t’i propozojnë Këshillit të Ministrave shkarkimin e tij për arsye të mungesës në detyrë, shtatë muaj pasi Veliaj u arrestua me kërkesë të SPAK.
E ndërsa Rama e justifikoi këtë akt politik me nevojën urgjente të kryeqytetit për një kryetar bashkie në detyrë, janë të paktën edhe katër bashki të tjera pa kryetarë për shkak të dorëheqjeve. Kryetarët e bashkive Mat, Berat dhe Tepelenë u larguan në pranverë pasi Rama i futi në listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa para dy javësh u dorëhoq edhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha.
Pavarësisht parashikimeve kushtetuese për shpalljen dhe organizimin e zgjedhjeve të reja të pjesshme, zgjedhjet në këto bashki vijojnë të mbeten peng i procedurave të paqarta mes kryeministrit dhe presidentit, të cilët, duke luajtur “ping-pong” me përgjegjësitë, i kanë shkelur afatet ligjore.
Kushtetuta e Shqipërisë i njeh Presidentit në nenin 92 kompetencën e caktimit të datës së zgjedhjeve për Kuvendin, organet e pushtetit vendor, si dhe për zhvillimin e referendumeve. Kjo kompetencë është e kufizuar në kohë nga neni 10 i Kodit Zgjedhor, i cili specifikon se: “Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit.”
Por Presidenca pretendon se vakanca duhet t’i njoftohet zyrtarisht nga kryeministri, duke e lënë shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme de facto në dorë të mazhorancës në pushtet, pavarësisht afateve dhe parashikimeve ligjore.
Standarde të dyfishta
Zgjedhjet lokale të vitit 2019 krijuan një precedent zgjedhor, kur opozita e atëhershme, Partia Demokratike dhe ish-Lëvizja Socialiste për Integrim, vendosën t’i bojkotonin duke shkaktuar një ngërç politik.
Ish-presidenti Ilir Meta, në përpjekje për të zgjidhur këtë ngërç, shfuqizoi dekretin e tij për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, duke caktuar një datë të re në tetor. Por Kuvendi miratoi një rezolutë ku e shpalli të pavlefshëm dekretin e presidentit, me argumentin se cenonte parashikimet ligjore. Socialistët nisën më pas një procedurë parlamentare për shkarkimin e presidentit për tejkalim të kompetencave të tij.
Duke iu referuar përplasjeve të gjata institucionale mes ish-presidentit dhe Kuvendit, Rigels Xhemollari nga “Qendresa Qytetare” e sheh sjelljen e sotme të PS-së të lidhur me interesat e ngushta politike.
“Në 2019 PS kishte një interes politik për të marrë zotërimin e të gjitha bashkive, për të mbajtur pushtetin qendror, ndërsa tani që e ka atë, janë thjesht shpenzim energjie,” thotë ai, duke shtuar se nga ana tjetër “opozita i sheh këto bashki thjesht si beteja të pamundura.”
Edhe për ekspertin e çështjeve vendore, Agron Haxhimali, që drejton Institutin e Bashkive, sjellja e institucioneve bie ndesh me parashikimet e afateve ligjore dhe dobëson rolin e bashkive.
“Procedurat për zëvendësimin e kryebashkiakëve të dorëhequr janë në shkelje të afateve kushtetuese,” i tha ai BIRN-it, ndërsa sjelljen e mazhorancës e quan me “standard të dyfishtë”.
“Kjo që po ndodh sot mund të ishte ekuivalente me situatën që ndodhi në vitin 2019 për zgjedhjet vendore, kur PS refuzoi dekretin e presidentit për të shtyrë zgjedhjet për shkak të këtyre afateve,” shtoi Haxhimali.
Për përfaqësuesit e shoqërisë civile, sjellja e mazhorancës nuk është vetëm në shkelje të ligjit, por vjen edhe në vazhdën e një serie vendimesh me pasoja në autonominë vendore.
“Mënyra se si pushteti qendror po e zhvesh pushtetin vendor nga kompetencat, duke i marrë ujin, menaxhimin e mbetjeve, lejet e ndërtimit apo duke ndikuar në ngarkimin dhe shkarkimin e drejtorëve, të le të kuptosh se mazhoranca nuk i ka prioritet bashkitë dhe po përgatit një reformë për të goditur më tej autonominë e tyre,” përfundoi Xhemollari./BIRN/