Prokuroria e Fierit njoftoi të enjten më 18 shtator vendosjen nën akuzë të shtatë zyrtarëve të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Fier, të cilët dyshohet se merrnin ryshfet për kolaudimin e automjeteve me defekte teknike. Tre persona të tjerë janë nën hetim për veprën penale të “korrupsionit aktiv”.
Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se shtatë specialistët e kontrollit teknik, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, e kanë shpërdoruar detyrën më shumë se një herë.
Në një rast dyshohet se dy shtetas u kanë dhënë punonjësve të DRSHTRr Fier shumën 2000 lekë për të nxjerrë kalues mjetin e një shtetasi. Në një tjetër rast, është konstatuar se shtetasi nën hetim D.N., gjatë një komunikimi telefonik i ka ofruar përfitim të parregullt me vlerë të pacaktuar një prej shtatë punonjësve të Qendrës së Kontrollit Teknik, për të mundësuar procedurën e kalimit të kontrollit teknik të një mjeti. Për arsye se nuk e ka referuar pranë autoriteteve ligjzbatuese këtë rrethanë, ndaj nëpunësit J.V., është regjistruar procedimi penal edhe për “moskallëzim krimi”.
Ndaj 10 personave të hetuar, është caktuar masa e sigurimit personal “detyrim paraqitje”, ndërkohë që për gjashtë nga shtatë specialistët e Qendrës së Kontrollit Teknik është zbatuar masa e pezullimit./BIRN