Prokuroria e Tiranës njoftoi të dielën më 19 tetor përfundimin e hetimeve ndaj 20 nëpunësve publikë, të cilët akuzohen se shpërdoruan detyrën në shtatë tendera në Ministrinë e Bujqësisë, me fond limit 525 milionë lekë pa TVSH, që u kryen pa shpallje paraprake dhe me të dhëna fiktive, duke u shmangur testimi i tregut në përcaktimin e kritereve të produkteve që kërkoheshin. Çështja është dërguar në Gjykatën e Tiranës për t’u kaluar për gjykim.
Hetimet ndaj 20 punonjësve të Ministrisë së Bujqësisë kanë nisur bazuar mbi bazën e një kallëzimi të depozituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH për shtatë procedurat e prokurimit me objekt “Shpenzime mbrojtje bimësh dhe luftimi i parazitëve në bujqësi”; për “Blerje pajisje për shërbimin veterinar (motoçikleta, kaska, veshje, doreza, çanta)”; “Blerje kafshë të llojit gjedh për dëmshpërblimin e fermerëve të dëmtuar nga dermatoza nodulare e gjedhit”; si dhe për “Sistem i monitorimit me kamera për hidrovoret”.
Sipas prokurorisë, 20 të pandehurit akuzohen se në cilësinë e anëtarëve të njësive të prokurimit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për secilën procedurë tenderimi kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë të përfshirë në këto procedura tenderimi.
“Hetimi i procedurave provoi se janë konsumuar elementet e veprës penale dhe se kanë kryer veprime që nuk janë të justifikuara në lidhje me mangësitë për përcaktimin e kritereve të mallrave që kërkohen, por mbi të gjitha krijohet bindja se testimi i tregut është kryer në mënyrë fiktive,” citohet në njoftimin e prokurorisë, ku shtohet se është provuar se nga ana e anëtarëve të njësisë së prokurimit, është konsumuar vepra penale e shpërdorimit të detyrës./BIRN