Çështja për ndërtimin e hidrocentralit “Doma” në lumin e Lusës ka kaluar tashmë në betejë gjyqësore, ku banorët e fshatit Kurdari në njësinë administrative Suç, kanë paditur Bashkinë Klos, Agjencinë Kombëtare të Zhvillimit të Territorit, AZHT dhe shoqërinë “Global Interprise Group” sh.p.k.
Banorët, të përfaqësuar nga avokatët Adriatik Lapaj dhe Dorina Prethi, kërkojnë pavlefshmërinë absolute të vendimeve të Këshillit Bashkiak, kontratave të lidhura me kompaninë si dhe të lejeve të dhëna për shfrytëzimin e ujit dhe ndërtimin e hidrocentralit.
Avokatja Dorina Prethi theksoi se vendimet e Këshillit Bashkiak të Klosit për dhënien me qira apo në përdorim të fondit pyjor-kullosor, janë marrë në kundërshtim me ligjin, pasi nuk janë shoqëruar me konsultimet publike siç parashikohen në ligj. Sipas saj, konsultimet e kryera nga kompania nuk kanë asnjë vlerë ligjore dhe nuk mund të zëvendësojnë procesin që i takonte këshillit bashkiak.
“Është shkelur ligji duke mos e bërë këtë,” tha Prethi, ndërsa theksoi se zona e Kurdarisë është hambari i Matit dhe se rreth 700 familje e kanë kundërshtuar HEC-in përmes një peticioni.
Në sallën e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ku u zhvillua seanca e parë për padinë e banorëve të Kurdarisë ishin të pranishëm përfaqësues të Bashkisë Klos, kompanisë si dhe Avokaturës së Shtetit, ndërsa munguan përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Zhvillimit të Territorit (AZHT). Avokatët e banorëve, kërkuan që seanca të vijonte pavarësisht kësaj mungese, duke e cilësuar si shmangie nga përgjegjësia institucionale.
Avokati Adriatik Lapaj tha para gjykatës se përgjegjësia kryesore bie mbi Agjencinë Kombëtare të Zhvillimit të Territorit, e cila sipas tij “ka për detyrim të jetë e pranishme në proces, pasi është institucioni që ka marrë vendimet dhe ka dhënë lejet për shfrytëzimin e ujit.”
Gjyqtarja e çështjes, Ema Shaholli, vendosi shtyrjen e seancës për në 16 tetor 2025, pasi përfaqësuesit e institucioneve të tjera kërkuan ndërprerje për shkak të mungesës së përfaqësuesve të AZHT-së.
Ndërkohë, jashtë ambienteve të gjykatës, dhjetëra banorë protestuan duke mbajtur pankarta me thirrje për SPAK dhe për mbrojtjen e burimeve ujore.
“Kurdaria ka braktisjen më të ulët në Mat, sepse ka ujin vaditës dhe tokën prodhuese. Nëse na e marrin edhe këtë, vendi zbrazet,” tha Luftim Çeliku.
Ndërsa një tjetër banor i fshatit, Enver Dara, tha se “halli” i ka detyruar banorët të udhëtojnë deri në Tiranë, me kosto ekonomike për familjet e tyre.
“Ne do të bëjmë çdo lloj sakrifice për ta mbrojtur ujin,” tha ai.
Dara shtoi se ka besim tek sistemi i drejtësisë: “Tek kjo drejtësia e re kam pak besim, por duhet parë. Ne kërkojmë që drejtësia të ndihmojë një fshat që kërkohet t’i merret jeta,” shtoi ai.
Ndërtimi i HEC-it “Doma” në lumin e Lusës, në njësinë administrative Suç të Klosit, ka shkaktuar përplasje të vazhdueshme mes banorëve dhe kompanisë ndërtuese “Global Interprise Group”. Projekti është pjesë e një skeme më të gjerë për ndërtimin e tre hidrocentraleve në këtë lumë, ndërsa banorët pretendojnë se nuk janë përfshirë në asnjë proces dëgjese publike.
Tensionet janë rritur ndjeshëm muajt e fundit, që prej momentit kur kompania ka tentuar të nisë punimet në terren. Banorët kanë bllokuar vazhdimisht mjetet dhe punonjësit, duke shkaktuar përplasje fizike, ndërsa disa prej tyre janë proceduar penalisht.
Përfaqësuesit e kompanisë “Global Interprise Group” e cila synon ndërtimin e HEC-it “Doma”, pas përfundimit të seancës u larguan menjëherë dhe nuk bënë asnjë deklaratë, duke shmangur kontaktin me banorët dhe gazetarët e pranishëm. Në qëndrime të mëparshme të administratorit dhe aksionerit të kompanisë, Ashim Doma, ka deklaruar se gjurma e HEC-it ndodhet poshtë zonës së banuar dhe nuk prek drejtpërdrejt burimet ujore që përdoren për vaditje. Ai ka theksuar gjithashtu se lejet për ndërtimin e hidrocentralit janë marrë në përputhje me ligjin.
Banorët e pranishëm para gjykatës në Tiranë theksuan se nuk do të lejojnë punimet dhe se do të vazhdojnë rezistencën deri në fund.
“E dimë që kjo betejë nuk është e lehtë. Këta këtë kërkojnë, që popullin ta rraskapsin dhe ta shpërfytyrojnë. Ta dinë mirë se pa u shkri ky popull. /birn