Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të martën më 29 korrik vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurores së Tiranës, Eranda Laze. Sipas Kolegjit, është I drejtë pretendimi i institucionit të Komisionerëve Publikë dhe drejtuesit të SPAK se prokurorja Laze dhe bashkëshorti i saj janë në pamundësi për të vërtetuar burimet financiare të ligjshme për pagesën e këstit të parë të një apartamenti në vlerën 40 mijë euro dhe për këstin e fundit.
Po ashtu, Kolegji ka gjetur të drejtë dhe shkakun e ankimit për pamundësinë e krijimit të gjendjes cash, për arsye të mosvërtetimit të ligjshmërisë së të ardhurave të bashkëshortit nga avokatia. Sipas KPA, për këto të ardhura nuk u provua shlyerja e detyrimeve tatimore.
Për një ngastër toke dhuruar bashkëshortit, trupi gjykues i KPA vlerëson se subjekti nuk shpjegoi bindshëm marrëdhënien e bashkëshortit me dhuruesit.
Kolegji vlerëson se dhe për një ndërtim informal në proces legalizimi, vetëdeklaruar nga babai i bashkëshortit të subjektit, nuk u dhanë shpjegime për arsyet e investimit së bashku me një shtetase tjetër të një garazhi në një vend turistik, edhe pse ai jeton në Itali.
Megjithëse këto rrethana nuk janë gjetur penalizuese, janë konsideruar në vlerësimin tërësor.
Të pamjaftueshme për masë janë gjetur dhe udhëtimet me persona të dyshuar sit ë përfshirë në veprimtari kriminale, megjithëse u konstatua se tregojnë për pakujdesi.
Në përfundim, trupi gjykues i Kolegjit arrin në përfundimin se prokurorja Eranda Laze gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për pasurinë dhe u vendos ndryshimi i vendimmarrjes së Komisionit e shkarkimi nga detyra i këtij subjekti rivlerësimi.
Laze u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 8 nëntor të vitit të kaluar. Gjatë hetimit administrativ në KPK, ajo e kundërshtoi bilancin negativ në masën 10 milionë lekë, si dhe gjetjet për udhëtime me persona të përfshirë në krimin e organizuar, duke kërkuar konfirmimin. Shumica e trupës së KPK i gjeti bindëse shpjegimet dhe provat e dorëzuara nga subjekti, duke e reduktuar pamundësinë në rreth 1.5 milionë lekë, që u konsiderua në përfundim jo penalizues.
Ndërsa pakica çmoi se Laze nuk arriti të provojë ligjshmërinë e burimeve për dy apartamente banimi në Tiranë, të blera për vlerën 81,284 Euro dhe të një automjeti. Pakica arsyetoi se pretendimet e subjektit nuk mbështeteshin nga deklarimet periodike dhe as nga faktet e rezultuara nga hetimi administrativ.
Vendimi i shumicës së Komisionit u gjet i pabazuar dhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që pasi evidentoi probleme për pasurinë dhe etikën, u kërkoi Komisionerëve Publikë përmes një rekomandimi, që të ushtronin ankim në Kolegj./BIRN