Prokuroria e Beratit njoftoi të martën vendosjen nën akuzë të ish-drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit në Berat, Aleksandër Shulla, për marrje në mënyrë të paligjshme të sekreteve shtetërore që zotëronte institucioni që kishte drejtuar.
Shulla akuzohet gjithashtu për mbajtjen pa leje të municioneve luftarake, ndërsa djali i tij, Pandeli Shulla akuzohet për organizimin dhe ushtrimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimi filloi në vitin 2023 me dyshimin se në lokalin e Shullës po zhvilloheshin lojëra fati në kundërshtim me ligjin. Gjatë një kontrolli u gjetën kompjutera të markave të ndryshme, në ekranet e të cilëve janë shfaqur lojëra online të ngjashme me ato të Adex Casino.
Në vijim të këtyre hetimeve, është ushtruar kontroll dhe në banesën e babait të Pandeli Shullës, ku janë gjetur një krehër metalik ngjyrë bronxi me 5 fishekë të paplasur, një çantë dore ngjyrë të zezë brenda të cilës u gjetën 3 krehër, të mbushur secili me nga 7 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe dy USB me mbishkrimet “Turbox” dhe “Kingston”.
Në njoftim thuhet se, Aleksandër Shulla, i cili më parë ka mbajtur funksionin e Drejtorit të Shërbimit Informativ Berat, ka shpjeguar gjatë marrjes së deklarimeve se në nëntor të vitit 2023 është larguar nga detyra dhe ka dorëzuar armatimin, por ka harruar të dorëzojë municionin e gjetur në banesë. Ai ka sqaruar se, fishekët u përkasin armëve të vjetra që i ka gjetur te godina e vjetër e SHIK-ut dhe i ka marrë si souvenir, ndërkohë që më vonë i ka harruar në banesën e tij.
Por, nga verifikimet e kryera prej prokurorisë, ka rezultuar se armatimet ishin kthyer dhe kjo provohej edhe nga fletëhyrja që ndodhet në institucionin e SHISH-it. Ndërkohë që nga verifikimet e kryera ka rezultuar se dy nga materialet e ndodhura në USB-në me emërtimin “Usb drive” janë të klasifikuara në nivelin “sekret” dhe administrohen në SHISH në kopje të vetme.
Prokuroria vëren se kopjimi ose shumëfishimi i tyre është i ndaluar dhe në kundërshtim me aktet që normojnë punën e SHISH. Sipas organit të akuzës, marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.
Hetuesit e çështjes kanë arritur në përfundimin se është provuar se i pandehuri Aleksandër Shulla ka qenë me detyrë punonjës i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe ka kopjuar materiale që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror. Këto të dhëna i janë besuar për shkak të detyrës.
Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, dhe përhapja e tyre në dy USB brenda në banesën e të pandehurit, kur ai nuk ushtronte më as detyrën e punonjësit të SHISH, çmohet se përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar./ BIRN