Ish-shefi i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi, tha se ai ka qenë dëshmitar okular i ngjarjes së 21 janarit 2011, ku u vranë nga Garda e Republikës 4 protestues të ish-opozitës socialiste në atë kohë, sot në mazhorancë dhe u shpreh se urdhri për të qëlluar nuk mund të jepej tjetër përveçse nga kryeministri.
Ish-kreu i spiunazhit shqiptar shpjegoi se Berisha në karrierën e tij politike ka bërë shumë gafa të rënda, sikurse ngjarjet e vitit 1997, por programimi dhe strategjia e tij ka qenë që të vendoste vetë sigurinë, apo siç e cilësoi, “ta bënte zap popullin” dhe jo të mendonte për sigurinë e vendit.
“Interesi kryesor i ndërkombëtarëve ka qenë primar për sigurinë dhe jo për demokracinë. Siguria vinte e para. Berisha e dinte këtë gjë, që në kohën e Nanos. Duke ditur se protesta do ishte e dhunshme, Berisha shfrytëzoi rastin që të tregonte se ai do e vendoste sigurinë, qoftë edhe duke vrarë. Por ndodhi ajo që ndodhi dhe situata doli nga kontrolli. Berisha ka bërë shumë gafa. Në 1997 urdhëroi pilotët të bombardonin në Përmet. Pse duhet ta bënte? Në atë kohë ishte tjetër, nuk mendohej se po i jepte pikë Ramës, por flitej për sigurinë, mendohej se ai e vendoste sigurinë dhe bënte zap këtë popull. Ai po shpresonte që protesta të ishte më e dhunshme. Kjo tregon se ai u tremb, momenti që protestuesit qëllohen kur protesta po mbaronte”, tha Klosi.
I pyetur në lidhje me provat e asaj ngjarjeje dhe zvarritjen e hetimeve, ai nënvizoi se SPAK e ka provën kryesore, atë që thotë vetë kreu i PD-së, se “Garda bëri detyrën”.
“SPAK ka prova, të paktën provën e madhe, e thotë edhe vetë Berisha, ata bënë detyrën se protesta ishte e dhunshme”, tha ai.
Klosi shpjegoi edhe procedurën që ndjekin ushtarakët dhe rregulloren e Gardës, duke theksuar se nuk qëllohet mbi turmën përveçse kur turma godet e para dhe rrezikon personin apo autoritetin zyrtar që mbrohet prej Policisë apo Gardës.
Dhe sipas tij, zotësinë e urdhrit për të qëlluar e kishte vetëm një person.
“Ushtarakët e dinë mirë kur qëllohet dhe kur nuk qëllohet, ata e dinë mirë këtë dhe aty thuhet se në turmë qëllohet vetëm kur rrezikohen njerëzit e jo godina, pra ata njerëz që duhen mbrojtur nga Garda. Dhe ata nuk do e bënin kurrë, sepse dënoheshin. E kush e kishte zotësinë të jepte një urdhër për të qëlluar? Vetëm ai. As ministri i Brendshëm dhe askush. Ishte e programuar, sepse ai mbajti gardistët tre ditë në Kryeministri, i trajtoi, i orientoi se çfarë të thoshin, i shpërbleu, i dekoroi tre-katër prej tyre”, tha ai.
Ish-drejtuesi i SHISH deklaroi se institucioni i inteligjencës punon për shtetin, nuk mund të dalë as kundër Gardës, as kundër Policisë dhe as kundër kryeministrit.
Është nën varësinë direkte të kryeministrit dhe nëse kreu i qeverisë nuk e dëgjon, atëherë Shërbimi Informativ nuk ekziston si institucion.
“Siç ishte Garda pjesë e ruajtjes së Berishës, ishte edhe Policia, ishte edhe shërbimi inteligjent. Shërbimi nuk punon dot kundër qeverisë së vetë, nuk e bën këtë, shërbimi ka shef të madh kryeministrin e vendit, nuk krijon konflikte. Shërbimi i një vendi nuk ekziston nëse kryeministri nuk e dëgjon, nëse nuk vendosen prioritetet. SHISH duhet të merret me kundërshtarët e vendit, me terrorizmin, me sigurinë dhe jo me këto gjëra. Po të them, nëse SHISH nuk dëgjohet nga kryeministri, ai nuk ekziston. Shërbimi Informativ punon për qeverinë, nuk mund të dalë kundër tij, gardës, Policisë, është institucion, nuk mund të ndodhë kjo”, u shpreh Klosi.


