Kryeprokurori i SPAK-ut, Altin Dumani, i është përgjigjur deklaratave të kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili ështe shprehur se pranë Prokurorisë së Posaçme ka ardhur një dosje nga “Zaho Koka” kundër Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama.
Në një reagim për media, SPAK sqaron se Dumani i është drejtuar Drejtoreshës së BKH-së për informacion lidhur me deklaratat e Berishës.
Sipas SPAK, në këtë institucion nuk ka mbërritur asnjë denoncim apo letër nga “Zaho Koka”, që të implikojë informacion për shtetasin Ols Rama, si edhe rrëmbimin e një biznesmeni me inicialet V.B
E gjithë situata lidhet me deklaratën e Berishës, i cili u shpreh se “Ndaj dhe meritojnë çdo damkë, çdo epitet, çdo denoncim. Ato janë në mënyrë figurative, se edhe Zaho Koka është një dëshmor i luftës, por Zaho Koka është dosja që ka ardhur këtu për Olsi Ramën dhe klanin Rama, dosje që përmban dokumente autentike, shumë të rëndësishme, që inkriminojnë kokë e këmbë këtë klan. Këta mendojnë se do e fshehin, por e kanë të kotë se gjërat ekzistojnë gjithnjë në dy” dhe tre kopje.
REAGIM
Në përgjigje të interesit tuaj: Nisur nga deklarata e bërë në media, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Z. Altin Dumani i është drejtuar Drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) përmes një shkresë më dt. 13.01.2025, për të bërë verifikimet e nevojshme, nëse është dërguar në BKH ndonjë shkresë nga shtetasi i përmendur si Zaho Koka, ku jepet informacion për shtetasin Ols Rama, si edhe rrëmbimin e një biznesmeni me inicialet V.B
Përmes kësaj shkresë, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Z.Altin Dumani ka kërkuar nëse është dërguar një informacion i tillë, është rregjistruar apo caktuar ndonjë hetues i BKH-së (cili prej tyre) dhe nëse është bërë verifikimi i tij. Z.Dumani ka kërkuar gjithashtu të informohet nëse kanë përfunduar verifikimet e kryera dhe cila është procedura. Më datë, 14.01.2025, Drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit, përmes një shkresë sqaroi se:
“Nga verifikimet e kryera në Sekretari,Protokoll rezulton se në Byronë Kombëtare të Hetimit nuk ka ardhur letër, kallëzim apo denoncim nga shtetasi i pretenduar si Zaho Koka.”