Tropojë- Një person i akuzuar për ndërtim pa leje në zonën e mbrojtur u arrestua nga Agjencia e Mbrojtjes Policore, kurse nën hetim u morën një efektiv policie dhe specialisti i Pyjeve.
AMP e Rajonit Kukës-Dibër konfirmoi sot (3 shtator) se ka referuar dosjen për hetime në Prokurorinë Kukës, për punonjësin e policisë M. M., me detyrë Ndihmësspecialist për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Tropojë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “shpërdorim i detyrës” si edhe për punonjësin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, G. H., për të njëjtën akuzë.
Kurse në flagrancë u arrestua E. B., banues në qytetin e Durrësit, i dyshuar për veprën penale “ndërtim i paligjshëm” në Zonat e Mbrojtura.
Nga hetimet deritanishme rezulton se me veprime dhe mosveprimet e tyre, dy punonjësit kanë lejuar ndërtimin e një objekti dy katësh me mur guri në vendin e quajtur ‘Quka e Ibrahim Osës’, Bjeshkët e Pojanit, të Njësisë Administrative Tropojë, pa lejen e organeve përkatëse dhe në kundërshtim me ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Njoftimi i plotë i AMP-së:
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës – Dibër) ka referuar materialet proceduriale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për punonjësin e policisë M. M., me detyrë N/Specialist për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Tropojë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” si edhe për punonjësin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, shtetasin G. H.
Gjithashtu është arrestuar në flagrancë shtetasi E. B., banues në qytetin e Durrësit i dyshuar për veprën penale “Ndërtim i Paligjshëm” në Zonat e Mbrojtura.
Referimi i materialeve për punonjësit është kryer pasi me veprime dhe mosveprime kanë lejuar ndërtimin e një objekti dy katësh me mur guri në vendin e quajtur ‘Quk e Ibrahim Osës’, Bjeshkët e Pojanit, të Njësisë Administrative Tropojë, pa lejen e organeve përkatëse dhe në kundërshtim me ligjin për Zonat e Mbrojtura.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].
Për ankesa me Whatsapp 0694151511
Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”.