Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, komentoi sot çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK, për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë.
E pyetur në një prononcim për DW, Marta Kos tha se rasti i Ballukut, ashtu si më herët ai i ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, tregon se institucionet e drejtësisë në Shqipëri po funksionojnë. Megjithatë, ajo pranoi se nuk ndihet aspak e kënaqur që vendet kandidate të BE-së përballen me raste të tilla të korrupsionit të nivelit të lartë.
“Për mua ky është një hap përpara, sepse këto raste janë zbuluar. Nuk jam e lumtur të dëgjoj për këto raste. E njëjta gjë vlen edhe për Ukrainën, por kjo tregon se institucionet antikorrupsion po punojnë,” u shpreh Kos.
Ajo theksoi se problematika të ngjashme ekzistojnë edhe brenda Bashkimit Europian, ndaj kriteri kryesor mbetet funksionimi i institucioneve dhe pavarësia e drejtësisë.
“Është e rëndësishme të kemi institucione. Edhe vendet kandidate i kanë këto institucione për t’i luftuar këto raste. Më pas do jetë drejtësia që do zbulojë nëse ligji është shkelur, dhe nëse po, çfarë do të ndodhë më pas,” deklaroi Komisionerja.
Pyetje: Ju përmendët SPAK, gjithashtu folët edhe për prokurimet publike, luftën kundër korrupsionit dhe të gjitha këto më sjellin ndermend rastin e zv.kryeministres aktuale, që është nën hetim. Ka gjithashtu një tjetër ish-zv.kryeministër në arrati, në të dyja këto raste kemi korrupsion të nivelit të lartë.
Marta Kos: Për mua ky është një hap përpara, sepse këto raste janë zbuluar. Nuk jam e lumtur të dëgjoj për këto raste. E njëjta gjë vlen edhe për Ukrainën, por kjo tregon se institucionet antikorrupsion po punojnë. Siç e kam thënë më parë ne gjithashtu kemi raste korrupsioni brenda BE, ato ndodhen kudo. E rëndësishme të kemi institucione, vendet kandidate i kanë këto institucione për t’i luftuar këto raste. Më pas do jetë drejtësia që do zbulojnë nëse ligji është shkelur dhe nëse po, se çfarë do ndodh më pas.


