Sipas një drafti të marrëveshjes mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian, të siguruar nga gazeta “The Guardian”, institucionet e Brukselit janë duke u përgatitur që të miratojnë një afat shtesë prej tre muajsh për Brexit-in me mundësinë që vendi të largohet nga BE-ja para 31 janarit të vitit 2020.
Pavarësisht ankesave të qeverisë franceze, një draft i marrëveshjes mes dy palëve ka qarkulluar nëpër qeveritë e shteteve anëtare, sipas së cilës Bashkimi Evropian do ta pranojë kërkesën e Britanisë së Madhe për një shtyrje tjetër të afatit.
Bazuar në këtë dokument, Brexit-i pa marrëveshje i 31 tetorit nuk është më në tavolinë, ashtu siç patën kërkuar liderët e partive opozitare si parakusht për miratimin e zgjedhjeve të përgjithshme.
Ndonëse ekziston pajtueshmëri paraprake për ta nënshkruar këtë marrëveshje, ka mundësi që pikat e saj të ndryshojnë, ndonëse kjo është hera e parë që caktohet data e nënshkrimit në një dokument zyrtar.
Në këtë dokument nuk përmendet data 15 nëntor, e cila ishte propozuar nga Franca si datë e largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja.
Për më tepër, në një deklaratë të Bashkimit Evropian, e cila është e bashkëngjitur si shtojcë në këtë draft, thuhet se nuk do të ketë negociata për marrëveshjen rreth Brexit-it.
Ndryshe, ambasadorët e 27 vendeve anëtare do të takohen të hënën për të diskutuar për këtë çështje, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.




