EMISIONI VETTING
Ndërhyrja e kompanisë “KAYO” u realizua me ndihmën e Policisë së Shtetit, e cila nuk kishte një shkresë zyrtare, një urdhër apo një vendim gjykate për të ndërhyrë te studiot e “News24” dhe Panorama Group.
“Futja e vrullshme e policisë dhe ushtrisë në mënyrë flagrante në shkelje me ligjin ka sjellë pasoja që janë tjetërsuar sendet dhe materialet e televizionit të gazetarëve që kishin materiale personale, qoftë pajisje, laptopë, dokumenta, të cilat i përkisnin atyre”, tha avokati Redi Ramaj.
“Vetting” i bëri një kërkesë për informacion Policisë së Shtetit për t’i vendosur në dispozicion një kopje të urdhrit për ndërhyrjen në godinë, e cila drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm, Ilir Proda. Ky i fundit ka refuzuar t’i përgjigjet kërkesës së “Vetting” deri në publikimin e këtij materiali.
“Në rastin konkret, edhe policia, edhe shoqëria KAYO, edhe policia ushtarake nuk kanë pasur dokumentacion që të paktën të vihej në dispozicion. Nuk ka pasur një njoftim, nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak, nuk ka pasur asnjë lloj komunikimi. Pra, jemi në kushtet e një veprimi faktik të kryer në kushte, le të themi, të dhunës policore”, tha Erion Kanxheri.
Sipas avokatit Erion Kanxheri, Ministria, Policia ushtarake, kompania publike “KAYO” sha dhe Policia e Shtetit, kur kanë një pretendim, nuk mund ta ekzekutojnë vetë.
“Pyetja është shumë e thjeshtë: cili ishte shkaku dhe baza ligjore që policia e rendit ndihmon një shoqëri aksionare për të hyrë në një godinë që ka pretendime? Nuk ka shkak të ligjshëm këtu, nuk ka një urdhërim ligjor”, u shpreh Kanxheri.
Pavarësisht kërkesave të shumta nga gazetarët, Policia e Shtetit nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare sot e kësaj dite për ngjarjen e rëndë. Por, ashtu si Ushtria, edhe titullarët e Policisë së Shtetit kanë pikëpyetjet e veta.
Ilir Proda është vendosur në krye të Policisë së Shtetit në tetor 2024, duke zëvendësuar Muhamet Rrumbullakun. Sipas burimeve mediatike, disa ditë përpara se të emërohej në krye të Policisë, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do t’i sekuestronin telefonin Prodës, pasi dyshohej se kishte dekonspiruar aksionin e SPAK-ut në Elbasan për grupin Capja. Në atë kohë, Proda ka qenë Drejtor i Drejtorisë Vendore në Elbasan.
Por Ilir Proda është një nga tre figurat kyçe të ndërhyrjes së 9 gushtit 2025 në zyrat e “News24” dhe “Panorama Group”. Ai ishte pjesë e zinxhirit të pushtetit që lejoi hyrjen e forcave policore dhe ushtarake pa asnjë urdhër gjykate dhe dokument zyrtar.
Ironia lidhet me faktin se edhe vetë të ardhurat financiare, pasuria e Ilir Prodës është ndërtuar mbi mungesë dokumentesh dhe marrëveshjesh që nuk janë formalizuar.
Në 8 mars 2024, Ilir Proda do të kalonte Vettingun e Policisë nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Policisë, e cila kishte në komision Bora Vrenjo, Henri Naqellari dhe Loreta Hanxhari.
Sipas avokatit Arben Llangozi: “Në Policinë e Shtetit, ashtu si në Drejtësi, nuk ka pasur një Vetting të plotë. Mjafton të shohim rastet e shefave të Policisë së Shtetit, që janë arrestuar nga SPAK-u, të cilët kishin kaluar Vettingun me miliona euro pasuri. Mendoj se rastet kur personat që kanë kaluar Vettingun dalin të korruptuar, duhen hetuar edhe Komisionet që kanë bërë Vettingun nga SPAK-u”.
Por në dokumentet e siguruara nga “Vetting” do të rezultonin shumë pikëpyetje me pasurinë dhe mënyrën se si ishin financuar shtëpitë.
Në vitin 2012, Ilir Proda bleu një apartament 52.9 m² në Tiranë dhe pagesa përfshiu 8 milionë lekë cash ose 8 mijë euro të dorëzuara jashtë zyrës noteriale pa mandat. Ndërkohë, për mobilimin ai do të deklaronte 4 milionë lekë, por asnjë faturë nuk është paraqitur. Shumë nga këto shpenzime, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë do t’i justifikonte si ndihma ose kursime familjare.
Në vitin 2017, Ilir Proda do të blinte një apartament tjetër, më të madh me sipërfaqe 119.8 m², me një hua prej 52,000 € nga një mik privat, biznesmeni Ylli Cara, me të cilin deri në vitin 2017 kishte pasur si ortak një kompani private.
Fillimisht huaja ishte verbale, por më pas u formalizua vetëm me një deklaratë noteriale. Pagesa e huasë parashikohej me këste 500 € në muaj, por sërish shumë shuma janë paguar në cash. Ky lloj borxhi, jashtë sistemit bankar dhe nga një biznesmen privat, krijon dyshime për varësi dhe konflikt interesi për një zyrtar të lartë policie.