Bashkia Fier ka reaguar pas trajtimit të rastit tronditës në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24 nga Evis Ahmeti, ku u denoncua abuzimi seksual i një vajze të mitur në fshatin Sheqishte nga babai i saj.
Në një njoftim zyrtar, bashkia bëri me dije se ka ofruar ndihmë financiare të menjëhershme në vlerën e 2 milionë lekëve të vjetra, si dhe ka akorduar një bonus qiraje për familjen.
Nëna e shtatë fëmijëve do të ketë mundësinë të zgjedhë banesën ku do të banojë, ndërsa shpenzimet e qirasë do të mbulohen nga bashkia.
Për më tepër, bashkia do t’i ofrojë nënës mundësi punësimi në një nga ndërmarrjet e saj, në mënyrë që të përmirësohet situata ekonomike e familjes.
Nëna e vajzës figuron si banore e Fierit në regjistrat e gjendjes civile, ndërsa prej kohësh banonte në një banesë në ruajtje në fshatin Sheqishte.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi pak ditë më parë, kur vajza e mitur u largua nga shtëpia dhe kërkoi ndihmë te një fqinj, duke denoncuar se ishte përdhunuar nga babai i saj.
Rrëfimi i nënës
Sipas nënës, vajza është abuzuar sistematikisht që në moshën 5-vjeçare, por thotë se nuk ishte në dijeni ndërsa tregon se vajza kishte sjellje agresive, dhe nuk i kishte treguar askujt për këtë ngjarje të rëndë.
“Jam nënë e 7 fëmijë 5 djem 2 vajza. Në orën 4 më njofton vajza e dytë që vajza e madhe ka ikur nga shtëpia. Njoftova policinë, policia gjeti vajzën dhe vajza kishte treguar që babai e kishte përdhunuar. Vajza i ka treguar të gjitha, është vetëm 12 vjeçe.
Nuk kisha kuptuar asgjë, vajza nuk më kishte thënën asgjë. Vetëm e shihja të acaruar dhe zihej me vëllezërit e motrat. Kishte kaluar në depresion derisa u detyrua të largohej nga banesa.
Kishte shkuar tek një fqinjë, e cila e kishte ushqyer dhe më vonë kishin njoftuar policinë.
Vajza kishte deklaruar se kjo nuk ishte hera e parë që babai e përdhunonte. Vajzën ma ka marrë shteti ma ka çuar për rehabilitim se ka kaluar në depresion. Ajo tha se e kishte përdhunuar që 5 vjeç. Një njeri që përdhunon fëmijën, të marrë dënimin maksimal të kalbet në burg, Unë nuk e dua. Do bëhem e fortë për fëmijët e mi. Nuk kisha kuptuar asgjë. Në sytë e mi nuk bënte kurrë asgjë”, tha ajo.
Denoncimi i vajzës
Burimet policore bëjnë me dije se denoncimi në polici është bëre nga vetë e mitura, pasi është shoqëruar në komisariat pas njoftimit të fqinjëve.
12- vjeçarja në prani të psikologes ka pohuar se është përdhunuar nga babai i saj. Ndërkohë ajo ka thënë gjithashtu se ka ndodhur edhe një vit më parë kur familja ndodhej në Gjermani , por ka pranuar gjithashtu se ka qenë abuzim sistematik që në moshën 5- vjeçare.
Babai pranon abuzimin
Ndërkohë, babai i saj, 36- vjeçari Zamir Meta, ka pranuar se ka abuzuar seksualisht me vajzën e tij , por ka ndodhur vetëm një herë. Aktualisht e mitura ndodhet në Tiranë, në Qendrën Rehabilituese “Lilium”