Bashkia e Tiranës ka shtruar drekën e Krishtlindjeve në qendrën komunitare “Gonxhe Bojaxhi” në kryeqytet.
E pranishme ishte edhe kryetarja e komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani, e cila theksoi se kjo qendër shërben si një familje e madhe, ndërsa përcolli edhe një urim për festat e fundvitit. Ajo apeloi gjithashtu ata që kanë mundësi të ndihmojnë të tjerët.
“Sot është ditë shumë e gëzuar dhe të ndash ushqim, është mënyra më e mirë për t’u njohur dhe për të falënderuar njëri-tjetrin. Ashtu si ndajmë edhe për familjet tona. Një tryezë pak më e madhe se ajo e shtëpive tona, por me të njëjtën ëmbëlsi, dhe të njëjtën ngrohtësi, ashtu si do ta kishim në shtëpitë tona. Më bëhet shumë qejfi që kjo qendra shërben si një familje e madhe, si një shtëpi e madhe.
E gjithë lagjja ka marrë një lloj krenarie që nuk është më ajo që quhej “Bregu i Lumit”, por është lagjja e re “5 Maji”. Një lagje për të qenë krenarë, për të qenë në shtëpi, për t’u ndjerë të respektuar, por edhe për t’u ndjerë ngrohtë edhe mirë me njëri-tjetrin.
Ata nga ju që kanë mundësi, të ndihmojnë të tjerët. Ndonjëherë vetëm një fjalë e mirë, është shumë më e ngrohtë se çdo ndihmë tjetër materiale. Duhet prania dhe ngrohtësia e secilit. Puna jonë është punë fizike. Por ajo që është më e rëndësishme, është të bëjmë të tjerët të ndihen më mirë. Dhe ky do ishte mesazh dhe urimi për këtë vit, të jeni sa më mirë me veten, me njëri-tjetrin, me familjet tuaja. Suksese dhe shëndet të gjithëve. Gëzuar”, deklaroi Ristani.


