Protestë e banorëve në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë, në dalje të fshati Kalivaç.
Bllokohet aksi kombëtar për rreth 10 minuta, duke penguar qarkullimin e dhjetëra mjeteve në të dyja krahët, teksa u desh edhe ndërhyrja e Policisë që i largoi, por pati edhe tensione.
Ka pasur edhe disa përplasje midis banorëve dhe drejtuesve të mjeteve, të cilët donin të ndiqnin itinerarin dhe punët e tyre, madje duke u shprehur se kishin edhe të sëmurë. Banorët protestojnë për mbylljen e rrugës ekzistente që lidh 3 fshatra, me aksin e ri Qukës-Qafë Plloçë. Ata kërkuan prezencën e autoriteteve për hapjen e rrugës dhe zgjidhjen e problemit.

Në vendngjarje kanë shkuar edhe shumë forca të policisë për të hapur aksin e bllokuar, teksa banorët janë shprehur se do i vijojnë protestat deri në gjetjen e zgjidhjes.
Sipas inxhinierëve, dalja në këtë rrugë është burim aksidentesh, ndërkohë që për vetë banorët kjo rrugë është e domosdoshme, se lidh jo vetëm fshatin me rrugën kryesore, por edhe me tokat. Përfaqësuesit u shprehën se do të kishte një rrugë që i lidhte me tokat e tyre, por jo aty ku rrezikoheshin aksidentet.
“Rruga do të bëhet dhe ju do lidheni me tokat”, tha një prej tyre.
Por banorët iu përgjigjën:
“Rruga të bëhet dhe toka do paguhet, të lidhemi me tokat tona!”.
Në këto momente ka pasur edhe tensione me shoferët. Një prej tyre çau kordonin e protestuesve, duke u shprehur se kishte njeri të sëmurë.
“Ore jam për në Tiranë, jam me të sëmurë!”
Një prej banorëve e ndoqi mjetin nga pas, madje duke rrezikuar teksa u kap nga xhamat.
Ata vijuan tubimin duke këmbëngulur se donin prezencën e shtetit:
Inxhinierët vijuan të shpjegonin se “rruga do hapet”, por ata duhet të lironin aksin.
Boriet e makinave shoqëruan situatën dhe vijuan tensionet mes banorëve dhe shoferëve.
“Duam rrugën e fshatit këtu”, thotë një banore, teksa ndërhyri edhe Policia.
Një përfaqësues i banorëve tregoi edhe problematikat që ata hasin në këtë aks:
“Të vijë Bashkia këtu, merrini të vijnë këtu, për atë punë i votuam. Të më vijë mbesa mua këtu, me çfarë ta marrë unë atë, se nuk kaloj dot. Le të vijnë këtu ata, për ça i votuam, le të vinin këtu. Të vijnë të na ndihmojnë ne këtu, njerëz jemi ne dhe njerëz janë ata”, tha ai.


