GJKKO ka bërë një vlerësim të detajuar mbi rastin e hetimeve penale ndaj ish-zyrtarëve të lartë, duke përfshirë Belinda Ballukun, të pezulluar nga detyra dhe vartësit e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, lidhur me dy procedura prokurimi “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Ndaj ministres u caktuan masat e pezullimit nga detyra dhe sekuestrimi i pasaportës, ndërsa për dy vartësit e saj, administratorin e KESH, Erald Elezi dhe drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli u la në fuqi masa “arrest shtëpie”.
Sipas Gjykatës, ekziston rreziku që Belinda Balluku të arratiset dhe të prishë provat e hetimit. Po ashtu ajo mund të dënohet deri në 5 vite burgim.
Në rastin e hetimeve të saj, Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethana që tregojnë dyshim të arsyeshëm për kryerjen e veprave penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim. Këto vepra lidhen me veprimet që kanë krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, duke penguar konkurrencën e ndershme në procedurat e prokurimit.
Sipas Gjykatës, subjekt i kësaj vepre penale mund të jetë vetëm personi me funksion shtetëror ose publik, ndërsa nga ana subjektive, krimi kryhet me dashje të drejtpërdrejtë, shpesh për arsye interesi personal, lidhjesh me të afërm, miq ose për përfitime materiale dhe morale.
Vlerësimi i Gjykates me argumente
E drejta për liri dhe siguri, e parashikuar në nenin 27 të Kushtetutës është një nga vlerat themelore në një shoqëri demokratike. Në këtë dispozitë kushtetuese, shprehimisht thuhet: “Askujt nuk mund t’i hiqet liria, përveçse në rastet dhe sipas procedurave të parashikuara në ligj.” Megjithatë, edhe e drejta për liri dhe siguri, si çdo e drejtë tjetër mund të kufizohet për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve, në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. 160. Një nga rastet kur e drejta e individit për liri dhe siguri mund të kufizohet është kur ka dyshime të arsyeshme se ai ka kryer një vepër penale, parashikuar në shkronjën “c” të paragrafit 2 të nenit 27 të Kushtetutës. Procedura ligjore e kufizimit të së drejtës së individit për liri dhe siguri kur ka dyshime të arsyeshme se ai ka kryer një vepër penale është detajuar në mënyrë të hollësishme në K.Pr. Penale dhe më konkretisht në Titullin V të tij me titull “Masat e sigurimit” (nenet 227-276 të K.Pr. Penale).
161. Gjykata e çmon të nevojshme paraprakisht që të evidentojë se në lidhje me kërkesën për caktimin e masës së sigurimit pa pjesëmarrjen e personit të hetuar (inaudita altera parte pa u dëgjuar pala tjetër), Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë janë shprehur me vendimin unifikues nr. 4 dt. 24.06.2009, ku ndër të tjera theksojnë: “… Kodi i Procedurës Penale ka parashikuar dy mënyra për caktimin e masave të sigurimit personal. Mënyra e parë dhe që është rregulli për caktimin e masave të sigurimit është ajo që parashikohet nga neni 244 e vijues i këtij Kodi.
Sipas këtij rregullimi është prokurori, i cili, mbasi ka vlerësuar në mënyrë të njëanshme se në ngarkim të personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet për një vepër të caktuar penale ekziston dyshimi i bazuar në prova për kryerjen e veprës penale, duke patur parasysh kushtet dhe kriteret që parashikon Kodi i Procedurës Penale, në nenet 228 e vijues të tij, i bën kërkesë gjykatës që të caktojë një masë sigurimi personal, me qëllim që të garantojë nevojat e sigurimit. Në këtë rast givkata verifikon nëse ekzistojnë realisht nevojat e sigurimit dhe nëse ekzistojnë kushtet për caktimin e masës së sigurimit personal dhe duke verifikuar rrethanat faktike, përcakton llojin e masës së sigurimit në përputhje me kriteret ligjore, me kushtin e vetëm që masa të mos jetë më e rëndë se ajo që kërkohet nga prokurori.
Kjo procedurë që ndiqet për caktimin e masës së sigurimit nuk bazohet në parimin e kontradiktorialitetit dhe nuk garantohen të drejta themelore që ka personi ndaj të cilit caktohet masa e sigurimit për tu dëgjuar, për tu mbrojtur vetë ose me avokat, për të ngritur pretendime dhe paraqitur prova, pasi në vetvete kjo procedurë e caktimit të masës së sigurimit nuk është një gjykim i mirëfillte me elementet që ai ka të përcaktuar sipas Kodit të Procedurës Penale, për shkak se, nevojat e sigurimit, këtë fazë të procedimit e konsiderojnë sekret dhe nuk e detyrojnë as prokurorin dhe as gjykatën të njoftojnë të pandehurin dhe mbrojtësin e tij lidhur me këtë veprim procedurial. Ky rregullim ligjor është logjik, sepse në themel do të garantojë që një person që dyshohet të ketë kryer një vepër penale, të mos kryeje një vepër tjetër, të mos vërë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, apo t’i largohet dhe shmanget procedimit penal. Këto janë dhe shkaqet që prokurori, edhe pse nuk kemi një gjykim me palë, duhet t’ia parashtrojë dhe provojë gjykatës se ekzistojnë së bashku ose veçmas kushtet dhe kriteret për caktimin e një mase të sigurimit personal….”.
162. Duke mbajtur parasysh sa më sipër, arrijmë në përfundimin se që të caktohet një masë sigurimi nga Gjykata, duhet që të provohet ekzistenca e disa kushteve dhe kritereve të përcaktuara si të tilla me ligj. Këto kushte dhe kritere përcaktohen në mënyrë të hollësishme nga K.Pr.Penale në nenet 228 dhe 229 të tij. Kështu, në pikën 1 dhe 2 të nenit 228 të K.Pr.Penale, sanksionohen kushtet e përgjithshme” që duhet të hajë parasysh Gjykata në caktimin e masës së sigurimit të cilat janë: Dyshimi arsyeshëm i bazuar në prova”. Dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova nënkupton ekzistencën e atyre elementëve të mjaftueshëm juridik dhe të rrethanave të faktit që i krijojnë bindje gjykatës në drejtim të mundësisë që jo vetëm se vepra penale është kryer, por dhe në drejtim të mundësisë se kjo vepër penale është kryer nga personi ndaj të cilit do të vendoset masa e sigurimit”. Ekzistenca e veprës penale. Sipas këtij kushti kërkohet që fakti të jetë parashikuar nga ligji si vepër penale, apo vepra penale të mos jetë shuar për shkak parashkrimi të ndjekjes penale, të dënimit, ose për shkak të shfuqizimit të dispozitave penale, apo të mos jetë amnistuar. Ekzistenca e kushteve të dënueshmërisë sipas së drejtës penale Nuk mund të caktohet masë sigurimi ndaj një personi që nuk mund të merret si i pandehur, ose nuk mund të dënohet.
163. Duke u rikthyer në rastin konkret, Gjykata vlerëson se, në gjëndjen që janë aktet e procedimit penal në ngarkim të të pandehurve Belinda Balluku. Gentian Gjyli dhe Erald Elezi ka rrethana që tregojnë se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova për kryerjen e veprave “Shkelja e harazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal në lidhje me dy faktet penale që janë hetuar, ai i prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë dhe ai i “Ndërtimit të Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”. Elementët objektiv dhe subjektiv të kësaj figure të veprës penale janë si më poshtë: Objekti i kësaj vepre penale janë marrëdhëniet juridike të vendosura për të siguruar rregullat e vendosura për prokurimin e mallrave, shërbimeve e ndërtimeve në tendera apo ankande publike si dhe veprimtarinë shtetërore ose të personit juridik, që administron fonde publike, të mbrojtura posaçërisht nga legjislacioni penal.
Nga ana objektive e figura e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo në ankande publike”, kryhet me veprime aktive të kundërligjshme në format e përzgjedhjes së procedurave të prokurimit, shkeljen e rregullave që pengojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe realizimin e barazisë së shtetasve në tendera dhe ankande publike për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, për të eleminuar konkurentët e padëshiruar në garë dhe në forma dhe mënyra të tjera.
Subjekt i krimit janë vetëm personat e ngarkuar me një funksion shtetëror (ministra, kryetar i bashkisë, etj.) ose me funksion publik, në agjencitë e prokurimit publik, entet prokurues që veprojnë në kundështim me përmbushjen e rregullt të detyrës, me ligjin në fuqi. Nga ana subjektive, krimi kryhet me dashje të drejtpërdrejtë dhe me qëllim për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, nisur nga motivet se e ka të afërm, mik, shok apo ka interesa të tjera materiale ose morale.


