Zbardhen dëshmitë e para të Emelinda Ramës, 26-vjeçares nga fshati Frashër i Fierit, e cila mbyti me tel të atin, Anesti Ramën, 56 vjeç.
Gjatë marrjes në pyetje nga policia, e reja ka pranuar autorësinë e krimit. Ajo deklaroi se babai i saj ishte fanatik dhe e kontrollonte në mënyrë obsesive, duke e kufizuar lirinë personale.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 23 korrikut në banesën e familjes, ku pas krimit, Emelinda, në bashkëpunim me nënën e saj, tentuan të fshehin vrasjen, duke inskenuar ngjarjen si një vdekje aksidentale. Trupi u pastrua dhe u tentua që çdo gjurmë dhune të zhdukej përpara se të njoftohej policia.
Tashmë, vajza ndodhet në paraburgim, ndërsa e ëma është e shoqëruar në komisariat, në pritje të hetimeve për rolin e saj në manipulimin e vendngjarjes. Rasti mbetet nën hetim të thelluar për të përcaktuar të gjitha rrethanat dhe shkallën e përgjegjësisë penale të secilës palë.