Detaje të reja janë mësuar lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme ndaj avokatit Bardh Koçi, për të cilin është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Pas caktimit të masës së sigurisë, janë ushtruar dhe tre kontrolle në banesa të ndryshme.
News 24 raporton se kontrollet janë kryer në banesën e një oficeri të policisë gjyqësore, si dhe tek shtëpia dhe zyra e një eksperti.
Sipas SPAK, Koçi i ka kërkuar një personi një vlerë parash prej 4 mijë euro, kundrejt një leje ndërtimi, duke i thënë se do të ndërmjetësonte që personi në fjalë të përfitonte truallin e ndërtimit.
Prokuroria e Posaçme sqaroi se Bardhi Koçi me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte i punësuar me detyrë Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) ka kërkuar nga shtetasja P.M. shumën prej 4000 (katër mijë) eurosh dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj.
Ndërsa ndaj gruas P.M, SPAK ka caktuar masën e sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Bardh Koçi është emër i njohur për policinë, pasi ai është arrestuar edhe në vitet 2013 e 2015.