Një automjet është qëlluar me armë zjarri në rrugën Shkodër-Hanin Hotit ndërsa nga kjo ngjarje nuk ka persona të plagosur nga të shtënat.
Ndërkohë drejtuesi i automjetit është aksidentuar dhe ka lënë makinën e tij aty.
Ngjarja ka ndodhur pranë rrethrrotullimit të Koplikut, bën me dije gazetari Senad Nikshiqi.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe kanë nisur hetimet paraprake.
Automjeti duket se është qëlluar në ecje e sipër dhe për t’i shpëtuar plumbave është aksidentuar dhe është përplasur në bordurën e një karburanti.
Njëra anë e makinës është e dëmtuar për shkak të përplasjeve që mund të ketë patur më përpara ose me makinën e autorëve ose në ndonjë vend tjetër. Po ashtu edhe gomat janë të dëmtuara plotësisht.
Mësohet se konflikti ka nisur që nga dogana e Hanit të Hotit për çështje parakalimi.
Drejtuesit e automjeteve kanë bërë një debat mes tyre dhe më pas kanë vijuar parakalime ndaj njëri-tjetrit deri në afërsi të rrethrrotullimit të Koplikut ku ka patur të shtëna me armë zjarri.


