Një aksident i rëndë është shënuar në Tropojë mbrëmjen e kësaj të hëne, 23 shkurt, me pasojë vdekjen e një personi.
Policia bën me dije se një automjet ka dalë nga aksi rrugor “Bajram Curri – Qafë Morinë” dhe për pasojë ka humbur jetën drejtuesi 34-vjeçar. Në gjendje të rëndë është dërguar në spital pasagjeri R. D, 38 vjeç. Ende nuk dihen rrethanat e aksidentit të rëndë.
“Rreth orës 19:30, në aksin rrugor “Bajram Curri – Qafë Morinë”, në vendin e quajtur Kasaj, automjeti me drejtues shtetasin I. K., 34 vjeç, banues në Tropojë, i cili udhëtonte së bashku me shtetasin R. D., 38 vjeç, ka humbur kontrollin e automjetit dhe, për pasojë, ka dalë nga rruga.
Si pasojë, ka ndërruar jetë drejtuesi i automjetit, ndërsa pasagjeri po merr asistencë mjekësore dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.”, njofton policia.


