Australia do të bëhet vendi i parë në botë qqë do të ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
Ligji do të hyjë në zbatim nesër, e mërkurë 10 dhjetor 2025.
Platformat si Instagram, TikTok dhe YouTube po detyrohen të bllokojnë më shumë se një milion llogari, duke shënuar fillimin e një vale të pritur globale rregullash.
Nga mesnata (ora lokale, ora 15:00 sot sipas orës në Shqipëri), 10 nga platformat më të mëdha do të duhet të bllokojnë australianët nën moshën 16 vjeç ose të përballen me gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë (28.1 milionë euro).
Ligji është kritikuar ashpër nga kompanitë e mëdha të teknologjisë dhe avokatët e lirisë së fjalës, por është lavdëruar edhe nga prindërit dhe avokatët e të drejtave të fëmijëve.
Hyrja në fuqi e ligjit i japin fund një viti spekulimesh nëse një vend mund t’i përjashtojë fëmijët nga përdorimi i teknologjisë që është bërë pjesë e jetës moderne.
Qeveritë nga Danimarka në Malajzi dhe madje edhe disa shtete në SHBA thonë se po planifikojnë hapa të ngjashëm, katër vjet pasi dokumentet e brendshme të rrjedhura nga Meta treguan se kompania e dinte se produktet e saj po kontribuonin në problemet e imazhit trupor dhe mendimet vetëvrasëse tek adoleshentët, ndërsa mohoi publikisht se ekzistonte ndonjë lidhje e tillë.
“Ndërsa Australia është e para që miraton kufizime të tilla, nuk ka gjasa të jetë e fundit”, thotë Tayma Lever, profesoreshë e studimeve të internetit në Universitetin Curtin.


