Një nga personat që ka qenë i pranishëm gjatë atentatit në berberhanen në qytetin e Lezhës ishte edhe një efektiv policie, por që në ato momente ndodhej jashtë detyrës dhe ka qëlluar me armën e shërbimit.
Mësohet edhe dëshmia e dhënë prej tij para kolegëve dhe hetuesve për dinamikën dhe rrethanat. Punonjësi i Policisë së Shtetit ka thënë se ndodhej rastësisht në berberhane në momentin kur ndodhi atentati mbrëmë në Lezhë dhe për pasojë u plagos 30-vjeçari Sokol Daci.
Ai ka shtuar se nuk ishte në shërbim dhe se prania e tij në zonë ishte krejtësisht rastësore. Sipas policit, për shkak të situatës me dinamikë të ngarkuar, ai nuk ka arritur të identifikojë autorët e atentatit. Ai ka deklaruar se ka përdorur armën e zjarrit me qëllim neutralizimin e tyre, në përpjekje për të parandaluar pasoja më të rënda.
Ngjarja ndodhi pranë një berberhaneje, ku autorët dyshohet se kanë qëlluar në drejtim të biznesit dhe më pas janë larguar nga vendngjarja. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Pista kryesore mbetet një hakmarrje e mundshme dhe konfliktet e vjetra.
Autoritetet kanë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë në zonë dhe po analizojnë çdo provë që mund të ndihmojë në hetimin e atentatit.


