Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Redjan Rrajën, i shpallur fajtor për vrasjen e shoferit 24-vjeçar Andi Maloku, si dhe për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe si Pëllumb Muharremi.
Në të njëjtin vendim, Kolegji Penal ka lënë në fuqi edhe dënimin me 35 vite burg për Arjol Halilajn, i akuzuar për përfshirje në të njëjtën ngjarje të rëndë kriminale.
Sipas arsyetimit të Gjykatës së Lartë, rekursi i paraqitur nga dy të dënuarit është vlerësuar i pabazuar në ligj dhe në prova, duke lënë kështu në fuqi vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Vendimi është marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Sander Simoni, Ilir Panda dhe Sokol Binaj.
Kujtojmë që 24-vjeçari Maloku mbeti i plagosur në atentatin e 1 nëntorit 2019 të ndodhur në Shkozet, ndërsa drejtonte makinën, në të cilën ndodhej Prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho. I riu ndërroi më pas jetë në Spitalin e Traumës.
Rraja u dënua me burg për jetë në korrik të 2023, si një prej autorëve të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, shoferit të tij Andi Maloku, i cili humbi jetën dhe Landi Muharremit, i njohur edhe me emrin Aleksandër Laho.
Rraja është i afërm i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja dhe ka qenë edhe më herët i proceduar penalisht. Ai është denoncuar në një rast publikisht nga ish-oficeri i policisë Emiljano Nuhu se e kishte kërcënuar për të mbyllur hetimet ndaj djalit të deputetit, i akuzuar për dhunimin e të dashurës. Ramazan Rraja, pjesëtar tjetër i familjes është po ashtu i akuzuar si pjesëmarrës në atentati, por procesi gjyqësor ndaj tij është në vijim.


