Atentati ndaj Menës në Kamëz/ Zbardhet dëshmia e ‘të penduarit’: Cukali më thirri në rrugë. Kur shënjestra u plagos, më kërcënoi se…

Atentati ndaj Menës në Kamëz/ Zbardhet dëshmia e ‘të penduarit’: Cukali më thirri në rrugë. Kur shënjestra u plagos, më kërcënoi se…

Zbardhet dëshmia e 33-vjeçarit Enver Jamaku, njeriu që shpërtheu me porosi të Gjergj Cukalit, minën në automjetin e Gjon Menës në Kamëz, atentat nga i cili mbeti i plagosur.



Enver Jamaku është personi që ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të hedhë dritë mbi atentatin me eksploziv ndaj Gjon Menës, i cili për fat të mirë mundit të mbijetonte, ndërkohë që për momentin Enver Jamaku, Ermond Jamaku dhe Gjergj Cukali ndodhen pas hekurave.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Enver Jamaku ka deklaruar se me Cukalin është njohur 5 vjet më parë kur i bleu një automjet. “Kur bleva mjetin dhe e telefonova, ai më tha se ishte Gjergj Cukali dhe unë e njihja përmes mediave sepse kishte probleme me drejtësinë. Më pas jemi takuar herë pas herë përfshirë dhe në varrimin e një personazhi të njohur të botës së krimit. Sa i përket atentatit ndaj Gjon Menës, ku mbeti i plagosur, një ditë dikush më thirri ‘Velo’ dhe ktheva kokën. Nuk e kuptova pse më thirri kështu, por pashë se po më thërriste Gjergj Cukali. Ai tha se kishte një punë për mua, por fillimisht nuk doja të përfshihesha në aktivitetin e tij kriminal. Më tha se do të më paguante 30 mijë euro nëse do të vija minën me celular në automjetin e një personi, më shpjegoi arsyet dhe vendin ku unë duhet ta vendosja minën. Fillimisht nuk pranova, por më pas duke qenë se jam pa punë dhe pa shtëpi, vendosa ta kryej këtë punë me qëllim që të blej një banesë për veten dhe familje”, thotë Enver Jamaku në dëshminë e tij.

Bëhet fjalë për dhjetorin e 2020 thotë Jamaku, i cili më pas shpjegon se ka pasur disa herë kontakte me Gjergj Cukalin.

Ai thotë se Cukali e mori në automjetin e tij dhe shkuan pranë banesës së shënjestrës së atentatit. “Pashë që ishte një djalë rreth 35-40 vjeç. Ishte rreth 185 cm i gjatë dhe kishte flokë të rëna dhe kishte karakteristike mjekrën e dalë. Për këtë arsye vendosa të kërkoja ndihmën e kushëririt tim, Ermondit për ta finalizuar me sukses punën”.

Ai thotë se Cukali erdhi me persona të tjerë ta takonte, të cilët nuk i identifikon dot, i dha minën me telekomandë, para rreth 500 euro dhe celularë për të bërë shpërthimin e minës. Ai tregon dhe mënyrën se si ka vepruar për të vendosur minën me celular.

Enver Jamaku pretendon që në dhjetor 2020, Gjergj Cukali i ka kërkuar dhe e ka porositur që për një shumë 30 mijë euro ai duhet të vinte në automjetin e Gjon Menës minën me telekomandë. Ai ka pranuar dhe ka kërkuar ndihmën e kushëririt të tij Ermondit. “Nëpërmjet rrjeteve sociale gjeta një automjet dhe e bleva për 800 mijë lekë të vjetra, në zonën e Kasharit dhe më pas kam lidhur një kontratë tek noteri në zonën e Astir-it. Këtë automjet do e përdorja për të vëzhguar lëvizjet e shënjestrës së atentatit dhe më pas do e shisja. Do e mbaja deri sa të kryeja atentatin dhe më pas do e dërgoja në zonën e Brarit”, dëshmon më tej Enver Jamaku. Ai ka lëvizur në gjithë Tiranën. “Fillimisht nuk arritëm ta vinim minën me celular, disa herë i kërkova Ermondit të shkonte atje. Ai shkoi rreth 7-8 herë gjatë ditës, por nuk arriti ta vinte sepse kishte lëvizje dhe mund të pikasej nga kamerat e sigurisë. Në një moment Gjergj Cukali më telefoni dhe më kërcënoi. Më tha që nëse nuk e vendos brenda natës së sotme do t’i kesh punët keq. Për këtë arsye duke qenë se janë në fuqi dhe rregullat e karantinës, vendosëm të kalonim në periferi të Tiranës, në rrugë dytësore, të pashtruara që të mbërrinim tek banesa e Menës. Kur mbërritëm atje, kemi qëndruar nga ora 12 e natës deri në orën 5 të mëngjesit. Ermondi shkoi dhe e vuri minën me celular dhe në momentin që do lëvizte shënjestra duhet ta shpërthenim, që Mena të ndërronte jetë”, ka deklaruar më tej Enver Jamaku

Nga të dhënat ka rezultuar se mina nuk është vendosur poshtë automjetit por në një kuti plastike pranë gomës së parë nga ana e shoferit dhe për këtë arsye nuk ka gjetur vdekjen Gjon Mena.

“Në momentin që ai doli dhe makina po lëvizte, unë i kam rënë ziles së celularit që më kishte dorëzuar Gjergj Cukali dhe pamë që po dilte tym dhe u ndje shpërthimi. Më pas jemi larguar dhe kemi shkuar në periferi të Tiranës ku do të linim automjetin”, ka thënë ai.

SI U ZBULUA GRUPI KRIMINAL

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se vetëm një kamera sigurie ka qenë prova më e fortë për ta çuar grupin e hetimit drejt autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje. “Në fshatin Ferraj, një kamerë sigurie ka fiksuar një automjet ‘Ford Fiesta’ që Jamaku do e përdorte për të vëzhguar lëvizjet e shënjestrës së atentatit. Nga ky automjet është gjetur pronari i automjetit, i cili ka thënë se e kishte lënë në një servis për ta shitur dhe më pas pronari i servisit e kishte kontaktuar për ta shitur.

Në momentin që ka ndodhur shpërthimi, Jamaku thotë se Cukali e ka kërcënuar se nuk e ka çuar deri në fund punën dhe nuk i ka dhënë 30 mijë euro po 3 mijë. Jamaku thotë se ia ka dhënë paratë kushëririt të tij Ermond Jamakut, të cilit i kishte premtuar 5 mijë euro. Nga ky automjet Enver Jamaku ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të japë emrin e porositësit.

Cukali nuk konsiderohet si personi që ka interes të drejtpërdrejt për vrasjen e Gjon Menës sepse nuk rezulton të ketë njohje të mëparshme apo shkak që ta vriste. Por prokuroria dhe policia ka dyshime se Cukali është paguar persona të tjerë për të eliminuar Gjon Menën dhe më pas ka kontaktuar kushërinjtë Jamaku për të realizuar atentatin që dështoi”, tha Lala.

SHËNJESTRA E ATENTATIT

Gjon Mena që ka dhe emrin Altin, është babai i dy fëmijëve, jeton në Kamëz. Një pjesë të kohës ka jetuar në Belgjikë dhe kohët e fundit pas kthimit, ishte i papunë. Në vitin 2019 ka ndodhur një vrasje në Mirditë, ku ka mbetur i vrarë shtetasi Eri Zefi. Mena ka deklaruar se ka qenë i dyshuar dhe është marrë në pyetje. Ai ka shpjeguar se ai dhe familjarët e tij nuk kanë marrë asnjë kontakt me familjarët e viktimës, pasi ai ka lidhje me shtetasin Gjovalin Alia, i cili është në burg si i dyshuar për vrasjen e Eri Zefit.

Ndonëse akuzat për vrasjen e Eri Zefit për Gjon Menën kanë rënë ai ka qëndruar në “arrest shtëpie” për një vit, pasi gjatë kontrollit në banesë, i është gjetur një armë.

Policia dhe Prokuroria është duke hetuar këtë pistë, nëse personat që kanë kërkuar atentatin e Gjon Menës kanë lidhje me viktimën në Mirditë. Policia po heton dhe të shkuarën e Menës në Belgjikë.