Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën për procesin e veçuar mbi atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji dhe Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, ngjarje e ndodhur më 1 nëntor 2019 pranë mbikalimit të Shkozetit.
Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se ky proces po zhvillohet i ndarë për dy të pandehurit, Bledar Polovina dhe Amar Shembi. Polovina vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar dhe gjykata ka bërë thirrje për të me shpallje publike dhe në adresën e banimit të tij. Sipas informacionit të marrë nga Interpol Tirana, ai është lokalizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e tij, por deri tani nuk ka informacion mbi ecurinë e këtij procesi.
SPAK ka kërkuar që gjykimi të vazhdojë në mungesë të Polovinës. Ky i fundit kishte kërkuar gjykim të shkurtuar përmes një emaili të dërguar avokatit të tij, por kërkesa nuk ishte në formën ligjore dhe nuk u pranua nga gjykata.
Avokati i Amar Shembit, nga ana tjetër, ka kërkuar kohë për t’u njohur me aktet e dosjes, pasi është angazhuar vetëm një ditë më parë.
Seanca e radhës është caktuar për më 11 mars, në orën 11:00.


