Hetimet për atentatin me eksploziv ndaj gazetarit italian Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit investigativ Report, kanë marrë një tjetër drejtim, duke vënë në qendër të vëmendjes një emër të njohur të botës së krimit, Artur Shehu, 58 vjeç, një biznesmen me origjinë nga Shqipëria, i njohur prej vitesh nga hetimet si një figurë me peshë në krimin e organizuar shqiptar, shkruan La Repubblica.
Shehu aktualisht jeton në Florida, SHBA, ku udhëheq një jetë të tërhequr në qytetin e Miamit. Sipas burimeve hetimore, edhe Drejtoria e Antimafias italiane ka marrë informacione nga qyteti i Vlorës për një përfshirje të mundshme të tij në shpërthimin e ndodhur më 16 tetor, përpara banesës së Ranuccit në Pomezia.
Aktualisht, kjo mbetet një hipotezë hetimore që kërkon verifikime të mëtejshme, por po ndiqet me kujdes nga prokurorët e Antimafias në Romë, në bashkëpunim me karabinierët e njësive hetimore në Frascati dhe Via In Selci.
Pistat e hetimit
Një ndër pistat kryesore që po shqyrtohet lidhet me një episod të Report, transmetuar më 21 prill 2024, që analizonte projektet e qendrave për migrantët në Shëngjin dhe Gjadër, si pjesë e marrëveshjes mes qeverive të Romës dhe Tiranës.
Në këtë material, emri i Artur Shehut përmendet disa herë dhe lidhet me rrjete biznesi dhe marrëdhënie me qarqe politike e institucionale në Shqipëri. Sipas Report, Shehu përshkruhet si një narkotrafikant me lidhje të mundshme me Cosa Nostra-n dhe Sacra Corona Unita-n, i përmendur më parë në hetime ndërkombëtare.
Gjithashtu, Report pretendon se Shehu ka dhuruar një sipërfaqe prej 30 mijë metra katrorë pranë Vlorës për një fondacion të lidhur, gjeneralin Fabrizio Lisi. Ky transaksion dyshohet se është ndërmjetësuar nga Engjëll Agaçi, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe bashkëpunëtor i afërt i kryeministrit Edi Rama, figurë kyçe në marrëveshjen për migrantët.
Hetim ndërkombëtar
Emri i Shehut nuk është i panjohur për median ndërkombëtare. Në mars të vitit 2021, gazeta amerikane Miami Herald i kushtoi një artikull investigativ me titull: “Nga një vilë në Miami Beach, një burrë me lidhje të dyshuara me mafian ndërton një perandori biznesi në Shqipëri”, ku përshkruhet jeta e tij luksoze në SHBA dhe aktivitetet në Shqipëri.
Prokuroria italiane po heton edhe këtë profil ndërkombëtar, duke krahasuar të dhënat nga Shqipëria me lëvizjet e Shehut në muajt e fundit.
Ne kërkim autoret
Ndërsa dyshimet për përfshirjen e krimit të organizuar shqiptar po thellohen, autoritetet italiane po vijojnë kërkimet për autorin ose autorët që kanë vendosur mjetin shpërthyes dhe që dyshohet se kanë tentuar të futen edhe në shtëpinë e dytë të gazetarit gjatë verës, pa sukses.
Për shkak të numrit të lartë të hetimeve sensitive të realizuara nga Report gjatë viteve, pista e motiveve mbetet e gjerë. Megjithatë, fokusi i hetuesve aktualisht po shkon drejt lidhjeve me segmentet e mafias shqiptare, të cilat mund të jenë ndjerë të goditura nga zbulimet e fundit mediatike.