Një atentat me armë zjarri mesditën e sotme pranë aeroportit të Rinasit, la viktimë 47-vjeçari Gilmando Danin, i cili sapo ishte kthyer nga Barcelona.
Sipas burimeve, Dani ishte kthyer pak çaste më parë nga Barcelona dhe në aeroport ishte pritur nga Muçi Shaljani.
Dyshohet se autorët kishin informacion të saktë mbi lëvizjet e tyre dhe i kanë ndjekur deri pranë rrethrrotullimit afër Rinasit.
Në momentin kur Shaljani, që drejtonte një automjet tip Mercedes Benz S-Class, po largohej nga zona e aeroportit, ndaj tyre është hapur zjarr me breshëri automatiku.
Si pasojë e të shtënave, Gilmando Dani ka ndërruar jetë në vend, ndërsa Shaljani ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka ngritur disa pika kontrolli në rrugët dalëse të Tiranës dhe Fushë-Krujës. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa po verifikohen kamerat e sigurisë pranë vendngjarjes.


