Ish-presidenti Bamir Topi foli pasditen e sotme në News24 lidhur me ndarjen nga jeta në moshën 63-vjeçare të gazetari dhe publicistit të njohur Artur Zheji.
Topi e vlerëson Zhejin si një figurë qytetare, mendje hapur që nuk impononte kurrë mendimin e tij tek të tjerët.
Për Topin, Zheji do të mbahet mend për bisedat e tij të çlirëta dhe frytdhënëse.
Më tej thekson se formimi i Zhejit shkonte përtej pushtetit politik, tek institucionet e shtetit.
Ish-presidenti Bamir Topi: Kam pasur diferencë moshe 4-5 vite ajo që më bënte përshtypje dhe ja kam thënë, rinia e asaj kohe, 17 vjeçarët ishin shumë të shkujdesur në bisedat e tyre. Bënte përshtypje një adoleshent që e shikoja vazhdimisht vetëm që ecte në rrugën e Durrësit por me vete kishte gjithmonë një libër. Arturi bazën e nisjes, vinte nga një familje qytetare dhe vitet e para e orientuan drejt një formimi që na jep sot mundësinë që ta cilësojmë si një personazh të formuar në një terren familjar. Përveç profesionalizmit, gazetaria është profesion i ri, por Arturi në këtë relativizëm ishte dhe një njeri që e mirëkuptonte interlokutorin. E ndërtonte bisedën në varësi të personit që kishte përballë. Një bisedë e çlirët, natyrale, pa e imponuar. Artur Zheji nuk imponohej. E bënte bisedën sipas mendimit të tij.
Marrëdhëniet tona kanë qenë në një terren natyral. Nuk kam dhënë këshillë për Arturin as ai nuk ka tentuar të japë këshillë. Produkti i bisedës ishte frytdhënës në të gjithë konjukturat e politikës. Shpeshherë politika dhe media janë në bashkëjetesë, janë dhe bashkëpunëtore në një mision. Jo gjithmonë shkojnë në terrenin virtual. Media interferon te politika, te korrentet underground. Këtë gjë nuk e kam parë te Arturi. Nuk kam investiguar, të kërkoj diçka që nuk e kam natyre dhe dyshim. Ka qenë i hapur. Përtej temave të ngushta, është marrë me çështje të interesit kombëtar. Me çështjet e shtetit, të rolit të institucioneve. Ajo që është më e rëndësishme për një vendim, jo vetëm pushteti politik. Është shteti, institucionet e shtetit. Asnjëherë shteti nuk të lë në baltë. Edhe në media njerëzit klasifikohen. Dua ta vlerësoj, kishte një lloj formimi përtej pushtetit politik, shkonte te shteti.