ALADIN STAFA
Humanët nuk janë gjë tjetër veçse një qenie që vepron me instinkt, të zhytur në emocione, kujtime, vendime e madje edhe në një monotoni të vazhdueshme, duke pritur me padurim se e nesërmja patjetër do të sjellë diçka të re. Dhe nuk bëjnë keq. E gjithë jeta në të vërtetë vërtitet nën dinamika të panjohura, pyetje pa përgjigje, rastësi fatlume, por edhe misterit se çfarë ka përtej. Askush nuk e di çfarë sjell ora e megjithatë, gjithkush jeton e mendon sikur ta dijë.
Ashtu sikurse dashurinë dhe urrejtjen e ndan një fije e hollë midis, e njëjta vlen edhe për jetën e vdekjen. Pameritueshëm vijmë në këtë botë e po ashtu largohemi prej saj. Vdekja është tema më universale e njerëzimit, por njëkohësisht më e pashpjegueshmja prej tij. Ajo është gjithmonë aty, një e vërtetë e pashmangshme ndërsa ritmi i shpejtë i jetës na largon prej idesë së saj, duke mos e pranuar se ajo edhe mund të ndodhë. Duke lënë pas tronditjen që ndjejmë kur ajo papritur vjen për të marrë njerëz që as nuk i prisje. Këtë ndjesi të hidhur na bëri të përjetojmë ndarja e beftë nga jeta e Artur Zhejit, një prej zërave më kritikë të kohës, madje edhe e brezit tim.
Me një qasje intelektuale mbështetur në argumente të forta mendimi dhe njohjeje, kulture e analize të thellë, Zheji do të lërë pas një boshllëk të pamatë në studiot televizive sezonin që pritet të nisë. Për ata që e kanë ndjekur me kujdes e vëmendje edhe përtej Shqipërisë, ai ishte më shumë se një komentator. Cilësohej si një filozof mediatik ku përtej ndasive politike, analizat e tij vinin me elegancë dhe kishin një stil unik sidomos në përdorimin e gjuhës shqipe. Ironikisht ishte vetë po Zheji ndërsa një vit më parë pat shkruar mbi vdekjen, duke e cilësuar atë, si një “Zonjë Madhështore” – të drejtë, të pamëshirshme dhe të pakorruptueshme. Sipas tij, madhështia e saj qëndron tek barazia që ajo imponon. Ndaj, nëse njeriu nuk do ta gjejë kurrë barazinë në këtë jetë, është vdekja ajo, që të gjitha diferencat i sheshon. Përballë saj nuk ka poste, tituj apo pushtet që të të mbrojë. E madje as para. Përballë saj ti nuk je asgjë tjetër veçse një numër në rreshtin e jetës duke pritur i qetë radhën tënde. Por, a është vdekja një mallkim? Padyshim ajo mund të cilësohet si një ligjësi hyjnore, një akt drejtësie që botës i vendos ekuilibra, e hidhur apo jo qoftë ajo.
Ndaj jo më kot në atë shkrim Zheji theksonte se jeta është e përkohshme dhe se vlera e saj matet jo me gjatësinë në kohë, por me gjurmën që lëmë pas. Në këtë kuptim çdo humbje e papritur qoftë publike, familjare apo dhe shoqërore bëhet një mësim për ne që mbetemi pas. Ajo na fton të mendojmë: Çfarë po lëmë pas? Çfarë do kujtojnë të tjerët kur ne të mos jemi më? Përgjigjja duket qartë: janë fjalët, idetë, qëllimet, veprat, guximi për të thënë të vërtetën tonë e motivimi për të ndezur mendimin kritik. Vdekja, kjo zonjë madhështore dhe pasqyra jonë e përditshme, na tregon fare qartë se sa të përkohshëm e të dobët jemi. Ndaj mënyra më e mirë për t‘u përballur me të është asgjë tjetër veçse të jetuarit me dinjitet, duke lënë pas një gjurmë të mirë para se ajo të vijë. Askush nuk e di se sa kohë i ka mbetur, por kur mendon për ekzistencën e saj, çdo sekondë bëhet i paçmueshëm. Për të mësuar njëherë e mirë se jeta është e kufizuar dhe se çdo fjalë, çdo vepër e çdo gjurmë ka rëndësi.
Të mirat tona ndryshojnë sipas interesave tona, por ajo që na përbashkon është kjo “e keqe” e përbashkët – vetë fundi, të cilin askush deri tani nuk e ka zbuluar se çfarë ka përtej. Sepse ashtu siç thoshte Epikuri (341-270 p.e.s) “vdekja nuk është asgjë për ne; kur ne jemi, ajo nuk është dhe kur ajo është, ne nuk jemi”. Ndaj kjo është një arsye më shumë për të mos pasur frikë. Sepse ajo është një përvojë që ne nuk e përjetojmë dot. Ajo çka vlen në fund të ditës është rrugëtimi ynë me sytë hapur, në një botë që gjithnjë e më shumë sytë e saj i mban mbyllur./Gazeta Panorama