Një konflikt i dhunshëm në orët e para të mëngjesit në plazhin e Borshit ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri dhe një të plagosur. Policia njoftoi arrestimin e njërit prej të dyshuarve, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Sipas informacionit zyrtar, ngjarja ndodhi rreth orës 02:20 të 31 korrikut, pas një sherri për motive të dobëta mes disa personave në një lokal në zonë. Fillimisht, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, është konfliktuar fizikisht dhe është goditur me grushte nga shtetasi E. V., 55 vjeç, banues në Tiranë.
Më pas, H. Ç. është larguar nga lokali dhe është kthyer i armatosur. Ai ka qëlluar me armë në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, i drejtuar nga shtetasi E. Sh., 33 vjeç, duke e plagosur këtë të fundit në shpatull dhe në këmbë. I plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, H. Ç. ka goditur me qytën e armës shtetasin A. D., 43 vjeç.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të policisë, H. Ç. u arrestua në flagrancë, ndërsa E. V. është shpallur në kërkim. Të dy akuzohen për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Nga vendngjarja janë sekuestruar 4 gëzhoja dhe një krehër me fishekë. Vijojnë hetimet për të gjetur armën e përdorur dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në përplasjen e dhunshme.