Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë një 43-vjeçar, i identifikuar si Dritan Agasi, pasi u kap duke mbajtur një armë zjarri pistoletë pa leje.
Gjatë kontrollit, efektivët i sekuestruan Agasit një pistoletë së bashku me një krehër me municion luftarak, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
Në kuadër të të njëjtit operacion u vunë në pranga edhe dy persona të tjerë, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi, pasi dyshohet se kishin dijeni për armën që mbante Agasi, por nuk e raportuan në organet kompetente.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Shadow”.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga një 43-vjeçar që mbante armë zjarri pistoletë, pa leje.
Vihen në pranga dhe 2 shtetas të tjerë, për moskallëzim krimi.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me krehër me municion luftarak.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, Policia e Durrësit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, në kuadër të operacionit “Shadow”, ka goditur një rast të kësaj veprimtarie. Si rezulat, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
D. A., 43 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi gjatë kontrollit në ambientet e një lokali, në lagjen nr. 11, Durrës, iu gjet një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;
A. K., 47 vjeç, dhe F. B., 43 vjeç, të dy banues në Durrës, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi kishin dijeni për këtë rast dhe nuk kishin kallëzuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.