Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, në përgjigje të arrestimit të avokatit Ulian Barjami, ka shpallur bojkot 5-ditor të të gjitha proceseve penale në të gjitha nivelet, nga data 20 deri më 25 tetor.
Në një vendim unanim, Komiteti thekson se pas kontaktit të drejtpërdrejtë me avokatin Barjami dhe shqyrtimit të hollësishëm të ngjarjes, situata u konsiderua “tepër e rëndë” dhe kërkon reagim institucional urgjent.
Bllokimi i proceseve gjyqësore përfshin si çështjet në hetim ashtu edhe në gjykim, në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, ndërsa përjashtim nga bojkoti vetëm për çështjet që lidhen me masat e sigurimit personal (caktim, ndryshim, zëvendësim ose shuarje).
Në vendim argumentohet se mospjesëmarrja e avokatëve gjatë kësaj periudhe do të konsiderohet arsye objektive për shtyrjen e seancave gjyqësore dhe se shkelja e vendimit nga ndonjë avokat do të trajtohet si shkelje e rëndë disiplinore, me pasoja që përfshijnë pezullimin ose heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit.
Ndër të tjera, Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë ka kërkuar angazhim urgjent nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për të shqyrtuar këtë çështje në mënyrë të menjëhershme.
VENDIM
Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë
Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë shqyrtoi ngarjen teper te rende lidhur me arrestimin e kolegut Av. Ulian Barjami, pasi mori kontakt personalisht me kolegun Barjami dhe u njoh drejtpërdrejt dhe në detaje me kete ngjarje. Me vendim qarkullues, Komiteti vendosi unanimisht:
- Bllokimin, nëpërmjet bojkotit të të gjitha proceseve penale, si në hetim dhe në gjykim, në të gjitha shkallët, përfshi edhe proçeset në Gjykatën Kushtetuese, për datat 20 tetor deri në 25 tetor. Përjashtohen nga efektet e këtij vendimi pjesmarrja në cështjet penale me objekt caktimi, ndryshimi, zëvendësimi dhe shuarje të masave të sigurimit.
- Mospjësmarrja e avokatëve në proceset penale si në hetim dhe gjykim në datat e mësipërme, është arsye objektive për shtyrjen e proceseve gjyqësore.
- Moszbatimi i këtij i këtij vendimi nga avokatet përben shkelje të rëndë disiplinore, si rrjedhoje sherben si baze per fillim të procedimit disiplinor nga Komiteti i Disiplinës, duke u shoqeruar me vendosjen e masave me te renda disiplinore, pezullim deri ne heqjen e liçensës se ushtriimit te profesionit.
- Komiteti Drejtues kërkon angazhimin urgjent dhe me përgjegjësi për shqyrtimin e kësaj cështje nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
- Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Dhomat Vendore të Avokatisë.
- Depozitimin e një kopje vendimi, pranë çdo gjykate në të gjitha nivelet.
- Depozitimin e nje kopje vendimi prane Inspektorit të Lartë të drejtësisë, Keshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
- Shtyrjen per nje date tjeter te tryezes se rrumbullaket te caktuar paraprakisht me Ministrine e Drejtesise ne daten 20 tetor, me objekt “Diskutimi i Projekt Kodit Penal midis grupit të punës dhe Dhomës se Avokatisë të Shqipërisë, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.
ARRESTIMI
Avokati është arrestuar këtë të shtunë, më 18 tetor, pasi ka kërcënuar një prokuror gjatë një seance gjyqësore. Ngjarja ndodhi në kuadër të procesit ndaj Maksim Lika, i njohur edhe me nofkën “Suci”, të cilin Barjami e përfaqësonte ligjërisht.
Gjatë diskutimit për masën e sigurisë ndaj klientit të tij, avokati Bajrami deklaroi, duke thene se “kërkesa e prokurorit për caktim mase bazohet në disa prova. Një ndër to tregon që ka pasqyrim të rremë të të dhënave, dhe do të merrem personalisht edhe me prokurorin edhe me gjithë oficerët e policisë gjyqësore. Do të bëj kallëzim.”
Kjo deklaratë u prit me reagim të menjëhershëm nga gjyqtarja Strakosha, e cila ndërhyri duke paralajmëruar avokatin për sjellje të papërshtatshme në sallën e gjyqit.
“Avokat, nuk funksionon me kërcënim në sallën e gjyqit. Nuk ka rëndësi se çfarë do të bëni ju jashtë kësaj salle,” u shpreh gjyqtarja.
Pjesë nga perplasja:
Avokati Ulian Bajrami: Kërkesa e prokurorit për vlerësim për caktim mase bazohet në disa prova. Një ndër to tregon që ka pasqyrim të rreme të të dhënave, dhe do të merrem personalisht edhe me prokurorin edhe me gjithë oficerët e policisë gjyqësore. Do të bëj kallëzim.
Gjyqtarja Megi Strakosha: Avokat nuk funksionon me kërcënim në sallën e gjyqit. Nuk ka rëndësi se çfarë do të bëni ju jashtë kësaj salle.
Avokati Ulian Bajrami: Konstatoj vepër penale…
Gjyqtarja Megi Strakosha: Do të marr masa nga ato që parashikon Kodi i Procedurës. Ky lloj komunikimi në këtë sallë gjyqi me mua si gjyqtare nuk të lejohet. Përqendrohu te mbrojtja e të pandehurit tënd ose do të caktohet një avokat kryesisht dhe do të të nxjerr përjashta. Paralajmërimi i fundit.
Avokati: Mesa pashë konstatoj pasqyrim të të dhënave të rreme.
Kush është Maksim Lika, klienti i avokatit Ulian Bajrami?
Maksim Lika është ndaluar më herët gjatë një aksioni blic të zhvilluar në Elbasan dhe dyshohet për lidhje me personazhe të botës së krimit, përfshirë Emiljano Shullazin.
Maksim Lika (i njohur edhe si “Suci”) u arrestua në kuadër të operacionit policor “Fast”, në Elbasan më 13 tetor 2025, së bashku me të paktën 10 persona të tjerë, pasi u kapën në një lokal pranë aksit Elbasan–Ish‑Metalurgji.
Ai po hetohet për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim me policinë, me tre pistoleta të sekuestruara gjatë ndërhyrjes dhe dyshohet të ketë qenë në shoqërim të një takimi biznesi që policia e konsideron të përfshirë në fushën e organizatave kriminale.